E emocionuar gjatë ceremonisë së funeralit, Erika Kirk, gruaja e Charlie Kirk tha se falte njeriun e dyshuar për vrasjen e bashkëshortit të saj. Publiku shpërtheu në duartrokitje dhe u ngrit në këmbë.

“Unë e fal”, u shpreh ajo, në atë që u përjetua si momenti më i fuqishëm i gjithë aktivitetit. Duke iu referuar fjalëve të Krishtit në kryq, ajo citoi: “Atë, fali ata, sepse nuk dinë ç’bëjnë”.

Mes heshtjes dhe emocionit, zëri i saj ushtoi në stadiumin e mbushur me dhjetëra mijëra njerëz. “E fal, sepse kështu bëri Krishti”, shtoi ajo, pa përmendur në asnjë moment emrin e të dyshuarit, Tyler Robinson. “Urrejtjes nuk i përgjigjemi me urrejtje”.

Reklamë

Duke kujtuar misionin e bashkëshortit, Charlie Kirk, Erika tha se ai kishte jetuar për të shpëtuar të rinjtë nga boshllëku, zemërimi dhe urrejtja. “Ai kërkonte të shpëtonte të rinj, madje edhe atë që i mori jetën”, u shpreh ajo me zërin që i dridhej.

Erika Kirk njoftoi se do të marrë drejtimin ekzekutiv të organizatës që themeloi i shoqi, Turning Point USA, duke premtuar mijëra degë të reja dhe vazhdimin e aktiviteteve universitare që Charlie kishte nisur. “Bota ka nevojë për Turning Point USA”, theksoi ajo. “Ka nevojë për një lëvizje që t’i largojë të rinjtë nga shkatërrimi, nga mëkati dhe nga ferri i kësaj bote. Ka nevojë për të rinj që udhëhiqen drejt së vërtetës dhe bukurisë. Premtimi im është që çdo hap do të jetë edhe më i madh”.

Ajo e përshkroi lidhjen me bashkëshortin si një bashkim të plotë në vizion e pasion. “Misioni i tij është misioni im. Çfarë ai ndërtoi me punë dhe përkushtim, ne do ta çojmë përpara me fuqi të shumëfishuar, në nder të kujtimit të tij”, tha ajo.

Duke iu drejtuar burrave të pranishëm, ajo i ftoi të pranonin sfidën e Charlie-t: të përqafonin burrërinë e vërtetë duke dashur e mbrojtur familjet e tyre. “Gruaja juaj nuk është shërbëtore dhe as skllave. Ajo është ndihmësja juaj. Nuk jeni rivalë. Jeni një trup i vetëm që punon për lavdinë e Zotit”, përfundoi ajo.