Ministri danez i mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, deklaroi se Danimarka është bërë viktimë e një sulmi hibrid profesional, pasi disa dronë fluturuan mbi katër aeroporte gjatë natës, në një incident të dytë të ngjashëm brenda disa ditësh.

Incidentet me dronë filluan para orës 22:00 të mbrëmjes së së mërkurës dhe përfunduan para orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes. Fluturimet u ndaluan për disa orë në aeroportin e Aalborgut (i cili është gjithashtu bazë ushtarake). Aeroportet në Esbjerg, Sonderborg dhe Skrydstrup (ku ndodhen avionë luftarakë të ushtrisë daneze) u prekën nga sulmet gjithashtu.

Aeroporti i Billundit, i dyti më i madhi në Danimarkë, mbylli hapësirën ajrore për gati një orë, për shkak të dronëve.

Reklamë

Ushtria daneze njoftoi se kishte parë dronë mbi disa instalime ushtarake, përfshirë bazën ajrore Skrydstrup dhe kazermat e Regjimentit të Dragunëve në Holstebro, duke paralajmëruar se mund t’i rrëzojë, nëse shihen sërish mbi zona ushtarake.

Policia në Danimarkë dhe Suedi po heton raportet për dronë, përfshirë edhe ato mbi fushat e naftës daneze dhe Stokholmin.

Të hënën në mbrëmje, aeroporti i Kopenhagenit u mbyll, për shkak të pranisë së tre dronëve. Një nga teoritë është se ata janë lëshuar nga deti. Policia po heton disa anije të pranishme në zonë, në atë kohë. Televizioni danez TV2 sugjeroi se dy anije ruse mund të kenë qenë në pozicion të përshtatshëm për sulmet e së mërkurës.

“Nuk ka dyshim se gjithçka tregon se kemi të bëjmë me një aktor profesionist, kur ka një operacion kaq sistematik në kaq shumë lokacione pothuajse njëkohësisht”, tha ministri Poulsen. “Kjo është një formë sulmi hibrid me përdorimin e dronëve të ndryshëm”.

Ai shtoi se Danimarka po shqyrton aktivizimin e nenit 4 të NATO-s, për herë të parë në historinë e saj. Edhe kryeministrja Mette Frederiksen tha se ka biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për situatën dhe se janë duke punuar bashkë për të garantuar sigurinë.

Reklamë

Ambasada ruse në Kopenhagen ka mohuar çdo përfshirje të Moskës, duke e quajtur incidentin një “provokim të sajuar”.

Ministri danez i drejtësisë, Peter Hummelgaard, tha se qëllimi i dronëve është të përhapin frikë dhe përçarje, dhe se po mendojnë të lejojnë infrastrukturën kritike të rrëzojë dronët, nëse është e nevojshme. Ai tha se asnjë pistë nuk përjashtohet, sa i përket autorëve.

Këto incidente ndodhin në një kohë tensionesh të rritura në Europë për shkak të luftës në Ukrainë dhe incidenteve të ngjashme në Poloni, Rumani dhe Estoni.

Të premten është thirrur një takim i përbashkët i BE-së për të diskutuar mbrojtjen ndaj dronëve dhe krijimin e një “muri dronësh” europian.

Reklamë

Poulsen tha se dronët mund të jenë nisur nga zona afër Danimarkës, duke ngritur spekulime se mund të jenë lëshuar nga toka daneze apo veriu i Gjermanisë.

Ekspertë të dronëve ushtarakë thonë se teknikisht është e mundur që ata të komandohen nga distanca të largëta, duke përdorur teknologji si 5G dhe metoda si “fluturimi pranë tokës”, për të shmangur radarët.

Andreas Kold Siggaard, drejtori i një kompanie daneze që prodhon dronë ushtarakë, tha se bllokimi i sinjalit nuk mjafton për të ndaluar një dron të avancuar – mundësia e vetme është rrëzimi i tyre fizikisht.

Policia dhe ushtria daneze janë në gatishmëri të lartë dhe strukturat e menaxhimit të krizave janë aktivizuar për herë të dytë këtë javë.

Reklamë

Frederiksen e quajti sulmin ndaj aeroportit të Kopenhagenit si “sulmi më serioz ndaj infrastrukturës kritike të Danimarkës deri më sot”.