Marina franceze ka sekuestruar afërsisht 10 tonë kokainë, me vlerë 610 milionë dollarë (540 milionë paund) në bregun e Afrikës Perëndimore, thanë autoritetet franceze.
Dy anije franceze ushtarake, që veprojnë si pjesë e Operacionit Corymbe, kanë ndaluar këtë sasi të madhe kokaine nga një anije peshkimi pa flamur të hënën, duke vepruar mbi një informacion të marrë nga inteligjenca detare, autoritetet kundër drogës dhe Agjencia Kombëtare e Krimit të Britanisë.
Misioni detar Corymbe është vendosur nga Franca në Gjirin e Guineas që nga viti 1990 për të pasur siguri, në një zonë ku pirateria është mjaft e përhapur.
Marina franceze tha se që nga fillimi i vitit janë kapur 54 tonë drogë në këtë zonë. Prefektura Detare Atlantike e Francës tha se “bashkëpunimi i pandërprerë i aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë” në luftën kundër narkotikëve ka çuar në këtë “sekuestrim të jashtëzakonshëm” prej 9.6 tonësh kokainë.
Gjiri i Guineas, pranë bregut perëndimor të Afrikës, ka qenë vend i shumë sekuestrimeve të drogës në muajt e fundit, me këtë rajon që shërben si një pikë kyçe tranziti në trafikun global të narkotikëve, veçanërisht kokainës nga Amerika e Jugut që transportohet në Evropë.
Kjo zonë dikur konsiderohej si më e rrezikshmja për pirateri detare në botë, duke kaluar edhe ujërat pranë Somalisë. Disa vende perëndimore kanë dërguar anije, për të ndihmuar në luftën kundër piraterisë në këtë rajon.
Një sekuestrim rekord i kokainës prej 10.7 tonësh u bë nga marina franceze në mars të vitit të kaluar, që ishte ndalimi më i madh i tregtisë së paligjshme në bregun e Afrikës Perëndimore.