Pasi avokatët mbrojtës përmbyllën pikat e tyre në favor të tij, Sean “Diddy” Combs ka thyer heshtjen e gjatë duke folur për herë të parë para gjykatës.

“Dua t’ju falënderoj që më dhatë mundësinë që më në fund të mbroj veten”, tha reperi duke hedhur sytë e fshehur pas syzeve mbi letrat në duart e tij dhe duke marrë frymë thellë.

“Një nga gjërat më të vështira që më është dashur të përballoj është të qëndroj i heshtur. Të mos mundem të shpreh sa keq më vjen për veprimet e mia. Dua që t’i kërkoj sërish falje personalisht Cassie Ventura për çdo dëm apo lëndim që i kam shkaktuar, emocionalisht ose fizikisht. Nuk doja të të lëndoja.”

Reklamë

Diddy shtoi se ai dëshiron që “t’u kërkojë personalisht falje të gjitha viktimave të dhunës sepse e di që ajo video, ajo video e pështirë dhe e neveritshme, ka shkaktuar reagim te shumë njerëz në të gjithë botën. Dhuna do të jetë gjithnjë një barrë e rëndë që mua do të më duhet ta mbaj përgjithnjë”, tha ai.

Duke iu drejtuar gjykatësit, ai shtoi se veprimet e tij “ishin të pështira, të turpshme dhe të sëmura. Unë isha i sëmurë. I sëmurë nga droga, isha jashtë kontrollit”, teksa shtoi se “i nevojitej ndihmë dhe nuk e mori.”

“Për shkak të kësaj unë s’mund të justifikohem dhe vërtet s’mund ta bëj sepse mund të veproja më mirë. Nëna ime më rriti më mirë. Më kishin mësuar më mirë. Besimi im më kishte mësuar më mirë. Humba në rrugëtimin e jetës. Nuk jam një njeri më i madh se jeta. Jam thjesht një qenie njerëzore.”

Ai vijon: “Jam përpjekur të bëj më të mirën. Humba në ekzagjerim, në egon time. Për shkak të vendimeve të mia humba lirinë time, mundësinë që të rris fëmijët e mi si duhet dhe të jem i pranishëm për nënën time.”

Combs vijon duke thënë se ka humbur bizneset dhe karrierën.

Reklamë

“Por mbi të gjitha, humba respektin për veten. Jam përulur dhe thyer në brendësi. E urrej veten tani. Kam mbetur pa asgjë. Dua t’u kërkoj falje shtatë fëmijëve të mi”, tha ai duke u kthyer drejt tyre. “Meritoni më mirë.”

Më pas, u kthye drejt së ëmës duke i thënë me zërin e dridhur se kishte dështuar si djalë. “Më fal. Ti më mësove më mirë. Më rrite më mirë. Unë e di se kur jepet shumë, pritet shumë. Kam dështuar para komunitetit tim.”

Diddy iu përgjërua gjykatësit për mëshirë duke thënë se “njerëzit mund të ndryshojnë, unë e di që kam ndryshuar.” Ai vijoi se ndonjëherë rrethanat e jetës të ndryshojnë trajektoren dhe është i bindur se tani mund të rishkruajë të ardhmen.

“Ju kërkoj mëshirë. Ju përgjërohem për mëshirë.”

Reklamë