Izraeli njofton se ka deportuar aktivisten e njohur Greta Thunberg dhe 170 persona të tjerë, të cilët ishin ndaluar gjatë një flotile që përpiqej të dërgonte ndihma në Gaza, raporton BBC.
Flotilja “Global Sumud” përbëhej nga mbi 40 varka civile me rreth 470 persona në bord dhe u ndalua nga forcat izraelite javën e kaluar.
Disa nga të deportuarit pretendojnë për keqtrajtime gjatë qëndrimit në paraburgim.
Ministria izraelite e Jashtme e ka cilësuar flotiljen si një “shfaqje propagandistike”, duke thënë se të gjithë të ndaluarit kanë pasur të drejtat e tyre ligjore të garantuara dhe i akuzon ata për përhapje gënjeshtrash.
Kjo është hera e dytë që Greta Thunberg deportohet nga Izraeli pas tentativës së dështuar për të arritur në Gaza me anije.
Sipas Izraelit, 171 persona janë deportuar drejt Greqisë dhe Sllovakisë dhe janë shtetas nga Greqia, Italia, Franca, Irlanda, Suedia, Polonia, Gjermania, Bullgaria, Lituania, Austria, Luksemburgu, Finlanda, Danimarka, Sllovakia, Zvicra, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Serbia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Flotilja “Global Sumud” u nis drejt Gazës, në kuadër të një nismë ndërkombëtare me pjesëmarrjen e aktivistëve nga Europa, SHBA-të dhe vende të tjera, për të çuar ndihma humanitare tek palestinezët që prej 2 vitesh ndodhen nën bllokadë tokësore, ajrore dhe detare të ushtruar nga Izraeli.
Megjithatë, në ujërat ndërkombëtare, flotilja u ndalua nga marina izraelite, e cila e cilësoi nismën si një provokim. Ndihmat nuk arritën kurrë në destinacion, ndërsa qindra aktivistë u ndaluan.
Kjo nuk është hera e parë që ndodh një episod i tillë, flotilje të ngjashme janë ndaluar edhe më herët nga Izraeli, që argumenton se bllokada ushtarake është e domosdoshme për të parandaluar furnizimin e Hamasit me armë, ndërsa organizatorët e konsiderojnë atë një akt të paligjshëm që pengon ndihmat për civilët palestinezë.