Një anëtar i forcave të sigurisë siriane është vrarë dhe disa persona të tjerë janë plagosur gjatë përplasjes mes ushtrisë siriane dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF), të mbështetura nga SHBA, në qytetin e Alepos.

Sipas agjencisë shtetërore siriane SANA, incidenti ndodhi në lagjet Sheikh Maqsoud dhe al-Ashrafieh, ku tre pjesëtarë të tjerë të sigurisë dhe disa civilë mbetën të plagosur pasi SDF goditi postblloqet e ushtrisë me mortaja dhe armë të rënda.

SANA raportoi se snajperët e SDF kishin zënë pozicione në tarracat e ndërtesave dhe përleshjet nisën pasi Ministria e Mbrojtjes së Sirisë deklaroi se lëvizjet e fundit të trupave në veri të vendit ishin pjesë e një riorganizimi, jo fillim operacionesh të reja.

Reklamë

Zëdhënësi i SDF, Farhad Shami, mohoi që grupi të ketë sulmuar postblloqe në Alepo, duke thënë se ata nuk kanë forca në ato zona. Ai akuzoi ushtrinë siriane se ka tentuar të hyjë me tanke në lagjet e kontrolluara nga kurdët dhe kërkoi heqjen e “rrethimit qeveritar” ndaj qytetit.

Guvernatori i Alepos, Azzam al-Gharib, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin zonat ku ka pasur përplasje. Ai tha se ushtria nuk synon përshkallëzim të mëtejshëm dhe se po punohet për qetësimin e situatës.

Agjencia Reuters raportoi se mes palëve është arritur një marrëveshje armëpushimi në dy lagjet e përfshira. Ndërkohë, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Londër, njoftoi se komunikimet janë ndërprerë dhe zonat janë rrethuar nga forcat siriane.

Përplasjet e fundit kanë hedhur hije mbi marrëveshjen e arritur në mars mes qeverisë së re siriane dhe SDF-së, që parashikon integrimin e forcave kurde në institucionet shtetërore dhe dorëzimin e disa zonave strategjike nën kontrollin e Damaskut deri në fund të vitit.

Por zbatimi i planit është ngadalësuar mes akuzave të ndërsjella për provokime. SHBA po i shtyn palët të ecin përpara me integrimin, ndërsa Turqia ka paralajmëruar se mund të ndërhyjë ushtarakisht nëse SDF nuk bashkohet me strukturat e qeverisë siriane.

Reklamë

Ngjarjet ndodhin pak ditë pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të para parlamentare që Siria zhvillon pas rrëzimit të Bashar al-Assad, një moment i rëndësishëm për tranzicionin politik të vendit pas afro 14 vitesh lufte.