Forcat ruse kanë sulmuar me drone rajonin e Poltavës në Ukrainë, duke shkaktuar zjarre në disa zona dhe dëme në infrastrukturë civile. Lajmi u konfirmua nga Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës.
Ndërkohë, shpërthime janë dëgjuar edhe në qytetin e Kharkivit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka komentuar lidhur me mundësinë e dërgimit të raketave Tomahawk në Ukrainë, një çështje që ka marrë gjithnjë e më shumë vëmendje. Gjatë një konference për mediat në Zyrën Ovale, Trump u shpreh se ajo luftë nuk duhet të kishte ndodhur kurrë.
“Kam marrë një vendim për raketat Tomahawk në Ukrainë. Po, mendoj se e di se çfarë do të bëj. Ajo luftë nuk duhej të kishte filluar kurrë. Ka qenë shumë e tmerrshme, këtë javë ata humbën mbi 7,000 ushtarë”, tha Trump.
Kjo çështje është një pikë e nxehtë për Rusinë. Më herët, Putin deklaroi se furnizimi i Ukrainës me raketa Tomahawk do të shkatërronte marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.