Marrëveshja e së mërkurës është vetëm një fazë fillestare që përfshin dorëzimin e pengjeve të mbajtura në Gaza, shkëmbimin e tyre me të burgosur palestinezë në Izrael dhe një tërheqje të pjesshme të forcave izraelite nga enklava, shkruan Reuters.

Megjithatë, mbeten shumë pengesa, pasi negociatorët i kanë lënë për diskutime të mëvonshme disa nga çështjet më të ndërlikuara, për të cilat përpjekjet e mëparshme kanë dështuar — si për shembull shkalla e plotë e tërheqjes izraelite, çarmatimi i Hamasit dhe se kush do ta garantojë, dhe në ç’mënyrë, që lufta të mos rifillojë pas kësaj faze.

Armët ende nuk kanë heshtur. Trump kërkoi nga Izraeli të ndalonte bombardimet kur Hamas tregoi fillimisht pranim të pjesshëm të planit të tij me 20 pika të premten. Kjo nuk ka ndodhur.

Reklamë

Dhjetëra palestinezë janë vrarë që atëherë nga sulmet ajrore dhe granatimet, veçanërisht në dhe rreth qytetit të Gazës, që ka qenë në qendër të ofensivës së fundit izraelite.

Megjithatë, bombardimet janë bërë më të rralla që kur Trump shpalli të mërkurën se ishte arritur një marrëveshje, gjë që shkaktoi festime si në Izrael — ku familjet e pengjeve u mblodhën plot gëzim në të ashtuquajturin “sheshi i pengjeve” në Tel Aviv — ashtu edhe në Gaza, ku njerëzit u tubuan mes rrënojave, edhe pse shpërthimet vazhdonin të dëgjoheshin./Reporteri.net/