Një zyrtar i lartë i Hamasit ka deklaruar këtë të enjte, më 9 tetor, se grupi shpall përfundimin e luftës, duke pretenduar se kjo gjë shënon dhe fillimin e një “armëpushimi të përhershëm“.

Siç shkruan “Sky News”, Khalil al Hayya, i cili i mbijetoi sulmit izraelit ndaj zyrtarëve të Hamasit në Katar muajin e kaluar, tha se marrëveshja përfshin hapjen e pikës kufitare Rafah në të dy drejtimet.

Ai shtoi se marrëveshja do të çojë në lirimin e të gjitha grave dhe fëmijëve palestinezë të burgosur, dhe se Hamasi ka marrë garanci nga ndërmjetësit dhe administrata amerikane që konfirmojnë se lufta ka përfunduar plotësisht.

Reklamë

Më herët, një zëdhënës i qeverisë izraelite deklaroi se armëpushimi do të hyjë në fuqi “brenda 24 orëve” pasi të zhvillohet mbledhja e plotë e kabinetit të Izraelit.

Një burim nga qeveria izraelite i tha Reuters se mbledhja e kabinetit të sigurisë ka përfunduar, dhe se tani ministrat do të mblidhen për të votuar nëse do të ratifikohet marrëveshja e armëpushimit apo jo.

Mirëpo një tjetër zyrtar i Hamasit, Osama Hamdan ka deklaruar se “asnjë palestinez nuk e pranon çarmatosjen” dhe se palestinezët “kanë nevojë për armë dhe rezistencë”, raporton Reuters.

Kjo deklaratë bie ndesh me një nga pikat kryesore të planit për paqe me 20 pika të Donald Trump për Gazën, i cili parashikon çarmatimin e Hamasit.

Po ashtu, deklarata e Hamdan duket se kundërshton komentet e Khalil al Hayya.

Reklamë