Kërkesa e ministrit të Sigurisë Kombëtare nga e djathta ekstreme, Itamar Ben Gvir, për të pasur të drejtë vetoje mbi lirimin e disa të burgosurve palestinezë për çështje sigurie, përfshirë të dënuarit për terrorizëm, është shkaku i vonesës së mbledhjes së kabinetit të sigurisë për marrëveshjen e armëpushimit.
Sipas transmetuesit publik Kan, kjo kërkesë shtyu gjithashtu votimin e kabinetit të plotë për ratifikimin e marrëveshjes.
Mbledhja e kabinetit të sigurisë ka përfunduar aktualisht. Mbledhja e përgjithshme e kabinetit, e cila ishte planifikuar fillimisht për në orën 18:00, u shty për më shumë se tre orë, duke vonuar më tej miratimin e pritur të marrëveshjes që synon të rikthejë 48 pengjet e mbetura të mbajtura nga organizatat terroriste në Gaza, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
Izraeli pritet të lirojë 250 të burgosur palestinezë për çështje sigurie, që vuajnë dënime të përjetshme, si dhe 1 mijë e 700 palestinezë të arrestuar pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, i cili nisi luftën.
Ndryshe nga ministri i Financave, Bezalel Smotrich, i cili njoftoi më herët se do të votojë kundër marrëveshjes, Ben Gvir nuk e ka bërë të qartë publikisht se si do të votojë. Megjithatë, lideri i partisë Otzma Yehud-it ka kërcënuar më parë se do të largohet nga qeveria nëse Hamasi “vazhdon të ekzistojë” pas lirimit të pengjeve dhe është larguar nga qeveria më herët këtë vit për shkak të një armëpushimi të mëparshëm.