Kievi u zhyt në errësirë të plotë natën e së premtes. Miliona banorë të kryeqytetit të Ukrainës mbetën pa energji pas sulmeve ruse me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës energjetike.
Raketat goditën edhe një pallat banimi 17-katësh, duke lënduar të paktën 20 banorë. Sulme pati edhe në qytete të tjera të Ukrainës, ndër ta veçohet Zaporizhia, ku nga goditja e një tjetër pallati humbi jetën një 7-vjeçar, i biri i një ish-të burgosuri të luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, i cili mori plagë të rënda nga kjo ngjarje.
Sulmet, që përfshinë 465 dronë dhe 32 raketa, demonstrojnë një strategji të qartë të Rusisë për të goditur energjinë dhe moralin e ukrainasve para dimrit, ndërsa Ukraina apelon për mbështetje ndërkombëtare.
Për të shtuar presionin ndaj Moskës për ndalimin e luftës, administrata Trump po shqyrton mundësinë që të ndalojë të gjithë avionët kinezë që fluturojnë drejt Shteteve të Bashkuara, të fluturojnë mbi Rusi. Masa, e konsideruar si arbitrare nga Kina, synon të ulë të ardhurat nga tranzitet në aeroportet e Rusisë.