Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të LDK-së.

Rama ka thënë se sot del para qytetarë ballëhapur, pasi ka mbajtur fjalën e premtimet.

“Sonte, këtu, përballë jush, jam i mbushur me energji, me emocion e dashni që më keni përcjellë këto javë, e si para katër vitesh ndjej peshën e përgjegjësisë, por edhe krenarinë e një rruge të bërë bashkë. Por, kësaj here me më shumë përvojë, vendosmëri dhe rezultate. Sot, vij përpara jush jo me fjalë, por me fakte. Jo me premtime, por me punë e përkushtim”, tha Rama.

Reklamë

Rama përmendi mbi 1 mijë projekte, 700 rrugë e 12 shkolla me mësim tërëditor.

“Katër vite të mbushura me mbi 1000 projekte që kanë prekur çdo lagje, çdo rrugë, çdo familje. Mbi 700 rrugë të ndërtuara e asfaltuara – arteriet e një qyteti që qarkullon e merr frymë. 12 shkolla me mësim tërëditor, që u kursen prindërve miliona euro e u japin fëmijëve më shumë dije e kujdes. 65 mijë banorë të kyçur në ngrohje qendrore, ajër më të pastër dhe dimra më të lehtë për mijëra familje. Një biletë e integruar, që i lidh qytetarët me gjithë Prishtinën, nga Mareci në Bardhosh, nga Arbëria në Kalabri”, tha Rama.

“Kjo është Prishtina që po ecën përpara. Kjo është Prishtina që nuk ndalet”, tha ai.

Rama, në fjalën e tij në tubimin përmbyllës, ka theksuar se si pushteti qendror bllokoi projektet kryesore.

Ai përmendi sheshin Xhorxh Bush, Spitalin e Prishtinës e nënkalimin te Agim Ramadani.

Reklamë

“Sepse, ndërsa ne punonim për kryeqytetin, disa punonin për ta bllokuar atë. Projektet tona për Unazën e Jashtme të Kryeqytetit, për ‘Sheshin Xhorxh Bush’, për Spitalin e Prishtinës, për Platformën Arbëri, për Nënkalimin në ‘Agim Ramadan’– u provuan të ndalen, jo nga mungesa e ideve, por nga inatet e ‘atyre’”, tha Rama.

Por, Rama tha se Prishtina nuk është bllokuar kurrë.

“Derisa ne kërkonim bashkëpunim për zhvillim, ata bënin kalkulime për bllokim. Derisa ne kërkonim fonde për Prishtinën, ata i mbyllnin derën Kryeqytetit. Por, Prishtina nuk është bllokuar kurrë. Përkundër tyre, asgjë s’e ndali ecjen tonë përpara. Asnjë intrigë, asnjë bllokadë, asnjë lojë e vogël politike s’mundi ta ndalë vizionin tonë për Prishtinën moderne. Sepse për ne, Prishtina është më e madhe se çdo interes partiak, ajo është përgjegjësi, është dashni dhe është detyrë”, tha Rama.

Rama, ka kritikuar edhe kundërkandidatët e tij.

Reklamë

Duke folur për premtimet e tyre në tubimin përmbyllës, Rama tha se njëri nuk ka vision urba, e tjetri nuk ka ditur të menaxhojë me pastërtinë e qytetit kur e ka pasur në udhëehqje.

“Prishtina ecën përpara me vizion, me transparencë dhe më e rëndësishmja me besim të Qytetarëve të saj. Tani, në këto ditë fushatë, i dëgjuam të gjithë të tjerët: Njëri premton rrugë, pa pasur as vizion urban; tjetri premton pastërti, por s’ka ditur t’i menaxhojë as kur ka udhëhequr me to”, tha Rama.

Ai përmendi ndërtimin e Unazës e Rrugën A.

“Ne, ne ndërkohë, kemi filluar Unazën e Brendshme, kemi ndërtuar Rrugën A, kemi ngritur urën e Arbërisë, kemi lidhur lagje e fshatëra me qendrën, që për dekada ishin të harruara; kemi nisur procese si Mësimi Tërëditor për 5000 fëmijët, kemi rritur shërbimet shëndetësore e Kryeqyteëtin e kemi kthyer Prishtinën në një Qendër Kulturore botërore. Qytetarët e Prishtinës e dinë mirë: E dinë kush ka punuar dhe kush ka penguar. E dinë kush ka ndërtuar ura dhe kush ka ngritur pengesa”, tha Rama.

Reklamë