Disa orë para hyrjes në fuqi të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, një ushtar rezervist i ushtrisë izraelite u vra nga një sulm i Hamasit me snajper në Qytetin Gaza të enjten pasdite.

Ushtari i vrarë u identifikua të premten në mëngjes si Rreshter i Klasit të Parë Michael Mordechai Machmani, 26 vjeç, pjesë e Batalionit 614, nga Dimona, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

Kështu, numri i përgjithshëm i ushtarëve të vrarë izraelitë gjatë ofensivës tokësore kundër Hamasit në Gaza dhe në operacionet ushtarake përgjatë kufirin me enklavën shkoi në 472. Në këtë numër përfshihen dy policë dhe tre kontraktorë civilë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Reklamë

Pas tërheqjes nga disa pozicione sipas planit të Trumpit, ushtria izraelite do të ketë nën kontroll pak më shumë se gjysmën e territorit të Gazës ose 53 për qind të tij – shumica jashtë zonave urbane.

Në një paraqitje me lot në konferencë për gazetarë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Gjeneral Brigade Effie Defrin, tha se armëpushimi në Rripin e Gazës është “një moment emocionues për popullin e Izraelit dhe për trupat e ushtrisë izraelite që kanë luftuar dhe vepruar gjatë dy viteve të fundit me guxim, trimëri dhe me ndjenjën e misionit dhe përkushtimit”.