Presidenti francez Emmanuel Macron ka vendosur të riafirmojë besimin ndaj Sébastien Lecornu, duke e emëruar sërish në postin e kryeministrit të Francës. Lajmi u konfirmua nga Pallati Élysée, pavarësisht dorëheqjes së Lecornu-t të paraqitur më herët gjatë javës.

“Nuk kishte kushte për të vazhduar. Kanë mbizotëruar interesat e ngushta politike”, ishte shprehur më herët Lecornu, duke nënkuptuar se nuk kishte vullnet të mjaftueshëm për të ndërtuar një shumicë qeverisëse funksionale. Ai ishte larguar nga detyra vetëm 27 ditë pas emërimit të tij të parë, duke deklaruar se e konsideronte të përfunduar misionin e tij.

Menjëherë pas konfirmimit të rikthimit në detyrë, Lecornu publikoi një mesazh në rrjetin social X: E pranoj këtë detyrë për shkak të përgjegjësisë që kam, me qëllim që Franca të ketë një buxhet të miratuar brenda fundit të vitit.

Reklamë

Zyra e presidentit francez bëri të ditur se takimi i sotëm mes Macron dhe përfaqësuesve të partive politike në Élysée tregoi se ekziston një mundësi reale për kompromis, duke shmangur kështu shpërndarjen e Asamblesë Kombëtare dhe zgjedhjet e parakohshme.

Vendimi për të riafirmuar Lecornu-n në krye të qeverisë ka ardhur si surprizë për shumë analistë, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit dhe dorëheqjen e tij të papritur.