Të tjera detaje zbulohen lidhur me shpërthimin e fuqishëm që tronditi Italinë mëngjesin e së martës, më 14 tetor, duke shkaktuar vdekjen e tre karabinierëve dhe plagosjen e 15 personave të tjerë, përfshirë pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Kryeministrja Giorgia Meloni ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X ku shkruan: “Ngushëllimet më të sinqerta për humbjen tragjike të tre karabinierëve dhe plagosjen e të tjerëve. Mendimet tona janë me ata që i shërbejnë Italisë.”

Ndërkohë, hetimet sipas Corriere Della Sera kanë zbuluar se kjo nuk është hera e parë që banorët e banesës kanë përdorur gaz për të penguar një operacion dëbimi. Tre persona janë arrestuar për vrasje të paramenduar, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë e akuzës për masakër. Skena e ngjarjes është përshkruar si “apokaliptike”, dhe tragjedia ka rikthyer vëmendjen te rreziqet që përballin çdo ditë forcat e rendit në kryerjen e detyrës.

Reklamë

Si ndodhi shpërthimi?

Sipas informacioneve paraprake, policia kishte ndërhyrë për të zbatuar një urdhër dëbimi në një banesë ku ndodheshin tre persona. Gjatë hyrjes në ndërtesë, ndodhi një shpërthim i fuqishëm që shembi tërësisht godinën dykatëshe, duke zënë poshtë karabinierët dhe policët. Corriere Della Sera duke iu referuar burimeve pranë hetuesve raporton se shtëpia ishte e mbushur me gaz dhe shpërthimi u shkaktua në momentin kur u hap dera kryesore.

Pas ngjarjes, dy persona (një burrë dhe një grua, të dy rreth të 60-ave) u ndaluan dhe u shpëtuan nga forcat e rendit. Vëllai i tretë, që ishte arratisur, u kap mëngjesin e së njëjtës ditë.

Prokurori i Veronës, Raffaele Tito, deklaroi se të tre janë arrestuar për vrasje të paramenduar dhe po shqyrtohet mundësia e akuzës për masakër. Ai e përshkroi skenën si “apokaliptike”.

Një histori e përsëritur

Reklamë

Nuk është hera e parë që banorët e kësaj shtëpie kanë përdorur gaz për të penguar dëbimin. Një vit më parë, në tetor 2024, ata kishin mbushur shtëpinë me gaz, por atëherë operacioni u shty dhe gjithçka përfundoi pa incidente. Madje, njëri prej vëllezërve kishte kërcënuar të vetëdigjej duke u lyer me benzinë.

Në banesë janë gjetur të paktën 5–6 bombola gazi dhe besohet se shpërthimi ka ndodhur në katin e parë. Pasdite pritet të fillojnë edhe marrjet në pyetje të të arrestuarve.

Kryetarja e bashkisë së Castel D’Azzano, Elena Guadagnini, shprehu ngushëllimet e saj dhe solidaritetin me familjet e viktimave dhe armatën e Karabinierëve.