Qeveria e SHBA-së ka revokuar vizat e të paktën 50 politikanëve dhe zyrtarëve qeveritarë në Meksikë, në kuadër të goditjes së administratës Trump ndaj kartelave të drogës dhe aleatëve të tyre të dyshuar politikë, raportohet të kenë thënë dy zyrtarë meksikan për Reuters.
Disa nga këto raste janë bërë publike, por raportimi i mediumit tregon se anulimet e vizave janë shumë më të përhapura se sa ishte raportuar më parë.
Sipas tre ish-ambasadorëve amerikanë, administratat e mëparshme kanë revokuar vizat në këtë mënyrë – por jo në këtë shkallë, gjë që sipas tyre tregon gatishmërinë e Presidentit Donald Trump për të përdorur këtë mjet diplomatik për të arritur objektiva politike.
“Administrata Trump po gjen mënyra të reja për të ushtruar më shumë presion mbi Meksikën” tha Tony Wayne, ambasador i SHBA-së në Meksikë nga viti 2011 deri në 2015.
Ky veprim ka shkaktuar tronditje të heshtur tek elita politike e Meksikës, e cila udhëton rregullisht drejt SHBA-së dhe ka nevojë për vizë për ta bërë këtë. Ai gjithashtu shënon një zgjerim të rëndësishëm të veprimeve anti-drogë të SHBA-së, me administratën Trump që synon politikanë aktivë që zakonisht konsiderohen shumë të ndjeshëm në planin diplomatik.
Një nga burimet, një politikan i lartë meksikan, tha se më shumë se 50 politikanë nga partia qeverisëse Morena kanë pasur vizat e tyre të revokuar, si dhe dhjetëra zyrtarë nga parti të tjera politike. Burimet kërkuan të qëndronin anonime për të folur mbi një temë kaq të ndjeshme.
/Reporteri.net/