Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenti amerikan Donald Trump dhanë deklaratë të përbashkët për mediat, në Shtëpinë e Bardhë, ku në fokus ishte kërkesa e Ukrainës për raketat me rreze të gjatë Tomahawk.
Gjatë fjalës së tij, Zelensky bëri një apel të drejtpërdrejtë për ndihmë ushtarake nga SHBA-të dhe sugjeroi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e teknologjisë ushtarake, duke ofruar mbështetje nga industria ukrainase e prodhimit të dromëve, në këmbim të raketave amerikane.
Nga ana e tij, Trump konfirmoi se tema e Tomahawk-ëve do të diskutohej gjatë takimit, por tregoi hezitim të qartë për t’i dërguar ato në Ukrainë.
Ai paralajmëroi se një lëvizje e tillë mund të shihet si përshkallëzim nga ana e Rusisë dhe se “shumë gjëra të këqija mund të ndodhin”.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se SHBA-të kanë nevojë për këto sisteme, për mbrojtjen e vet kombëtare dhe nuk duhet të japë armë, që mund të ndikojnë në kapacitetin e saj mbrojtës.
Gjatë deklaratës për shtyp, Trump u pyet gjithashtu për mundësinë e një takimi të ardhshëm mes Zelenskyt dhe presidentit rus Vladimir Putin, në kuadër të samitit që pritet të mbahet në Budapest.
Ai u shpreh se nuk pret një përballje të drejtpërdrejtë mes dy liderëve, duke zbehur pritshmëritë për një marrëveshje të afërt paqeje.
Takimi i sotëm vjen në një moment vendimtar për rrjedhën e luftës në Ukrainë dhe rolin e SHBA-ve në mbështetjen e aleatëve të saj.
Ndërsa Zelensky kërkon shtim të ndihmës ushtarake për të përballuar agresionin rus, Trump ruan një qasje më të kujdesshme, duke synuar një balancë mes ndihmës për Ukrainën dhe shmangies së përshkallëzimit të drejtpërdrejtë me Rusinë.