×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Shqipëri

    Hetimi ndaj Behgjet Pacollit për aeroportin e Vlorës dhe paratë e dyshimta, Bardhi: Korrupsioni ka kaluar çdo kufi

    Reporteri
    18 Tetor 2025 | 23:32

    Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas skandalit rreth aeroportit të Vlorës, çështje që sipas mediave në Shqipëri po hetohet nga Prokuroria e Tiranës. Në një postim në rrjetet sociale, Gazment Bardhi shkruan se korrupsioni me aeroportin e Vlorës ka kaluar çdo kufi.

    Bardhi thotë se kjo aferë gjigande financiare është kthyer në rrezik për sigurinë kombëtare, ku duket se i referohet raportimeve për mënyrën se  si ka vepruar Behgjet Pacolli me aeroportin ka ngritur shqetësime se ai mund të jetë duke krijuar korridor për interesa strategjike ruse në Shqipëri. Ai thotë se kjo megaaferë ka dy përgjegjës, Edi Ramën dhe zv.kryeministren Belinda Balluku.

    “Korrupsioni me Aeroportin e Vlorës ka kaluar çdo kufi të imagjinueshëm edhe për vendet e botës së tretë. Një aferë gjigande financiare është shndërruar në rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. E pangjashme me asgjë më parë në këto 35 vjet, kjo megaaferë ka dy përgjegjës: Edi Ramën dhe Belinda Ballukun. Prandaj këta duan një opozitë memece në Kuvendin e Shqipërisë. Prandaj këta nuk duan as debat, as kontroll parlamentar, as pyetje, asgjë që i gërvisht aferat monstruoze të kësaj Qeverie.

    I siguroj Edi Ramën dhe Belinda Ballukun se opozita nuk do të lejojë degradimin e Kuvendit dhe shndërrimin e tij në një organizëm memec, që kurdiset sipas interesit të Edi Ramës. Do të reagojmë, do të protestojmë në mbrojtje të funksionimit demokratik të Kuvendit dhe në mbrojtje të interesit publik. Gjithashtu, e siguroj Belinda Ballukun se me kryeaferën, që mban firmën e saj “Aeroporti i Vlorës”, do të merremi me seriozitetin më maksimal”, shkruan Bardhi.

    Sipas mediave shqiptare, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve

    Gjykata e Tiranës një ditë më parë, me kërkesë të kompanisë 2A Group të Valon Ademit, mori masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.

    Gjykata pezullon projektin e Aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli në hetim për mashtrim, falsifikim dhe rrezik për sigurinë kombëtare

    Gjithashtu, në bazë të vendimit që publikoi gazeta ‘Tema’, aeroporti i Vlorës është hipotekuar si garanci financiare kundrejt një marrëveshjeje huaje midis Mabco Constructions S.A. dhe Delphos Securities SARL, për një shumë prej 100 milionë dollarësh, marrë nga Behgjet Pacolli në mars të këtij viti.

    Dokumenti i publikuar tregon një kontratë kredie (Facility Agreement) midis Mabco Constructions S.A. (huamarrës) dhe Delphos Securities SARL, Compartment Bernina (huadhënës), e datës 26 mars 2025, me një shumë totale prej 100 milionë eurosh.

    Huadhënësi ka vendosur si kusht dorëzimin e dokumenteve ligjore, licencave, marrëveshjeve të koncesionit dhe garancive, si dhe miratimin nga autoritetet shqiptare dhe dorëzimin e pasqyrave financiare të VIA-s.

    Tema: Aeroporti i Vlorës mund të përfundojë pronë e një fondi fantom investimesh, shkak një kredi e dyshimtë 100 milionëshe e marrë nga Pacolli

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!