Nëse hapni një dritare në një rrugicë të qendrës së Pragës, menjëherë dëgjoni zhurmën e rrotave të valixheve mbi kalldrëm, një shenjë e turistëve që ecin drejt hoteleve apo Airbnb-ve të tyre. Me rreth 8 milionë vizitorë vitin e kaluar, kryeqyteti çek duket si çdo qytet tjetër europian. Por pas fitores së fundit të partive populiste nacionaliste të djathta, ky “normalitet” po merr një kuptim të ri.

Në vitin 1989, gjatë Revolucionit të Kadifenjtë, çekët thoshin se donin të jetonin në një vend “normal” si Gjermania Perëndimore, Franca apo Britania. Sot, ata jetojnë në një vend të tillë, por standardi ka ndryshuar. Dikur, Perëndimi ishte liberal, ndërkombëtar dhe pro-europian. Sot, gjithnjë e më shumë është antiliberal, nacionalist dhe euroskeptik. Kryeministri në largim, Petr Fiala, pyeti: “Duam të shkojmë drejt Lindjes apo Perëndimit?” Por çfarë do të thotë kjo kur Perëndimi përfaqësohet nga presidenti i SHBA-ve Donald Trump, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, për të mos përmendur pastaj politikanin britanik të Reform UK Nigel Farage, AfD në Gjermani dhe Tubimin Kombëtar në Francë, që të gjithë aktualisht kryesojnë në sondazhe?

Kryeministri i mundshëm i ardhshëm çek Andrej Babis, një miliarder dhe ish-kryeministër (2017–2021), udhëheq partinë ANO dhe përfaqëson modelin e “populistit sipërmarrës”. A ju kujton kjo dike? Ndoshta Silvio Berluscon-in apo Donald Trump-in.

Reklamë

Më ekstremë janë partitë më të vogla që do të bëjnë pjesë në koalicionin e tij: Liria dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë (SPD), një forcë e ekstremit të djathtë e drejtuar nga nacionalisti çek-japonez Tomio Okamura, dhe partia me emër të çuditshëm “Automobilistët për veten e tyre” (Motoristé sobě?). Pikërisht këta të fundit kanë propozuar si ministër të Jashtëm një ish-pilot, Filip Turek, i cili ka një të kaluar të errët, përfshirë një foto ku shfaqet duke bërë përshëndetje naziste nga dritarja e një makine. E tmerrshme, por presidenti i Republikës, Petr Pavel, ka kompetencë kushtetuese për ta bllokuar emërimin e tij. Dhe pastaj, sa “anormale” është në të vërtetë kjo, kur “normaliteti” përkufizohet nga figura si Pete Hegseth, sekretar i Mbrojtjes i SHBA-ve, që u jep leksione për rëndësinë e bërjes së pompave dhe rruajtjes së mjekrës 800 zyrtarëve të lartë ushtarakë amerikanë?

Franca, historikisht vendi më i prirur të shohë nga lart Europën Lindore, ka shpesh një qëndrim që unë e quaj “orientalizëm brenda-Europës”. E megjithatë, edhe me figura të çuditshme si Okamura dhe Turek, politika çeke sot është një shembull stabiliteti demokratik krahasuar me atë franceze. Dhe Babis mund të duket një lider serioz krahasuar me figura groteske si ish-kryeministrja britanike Liz Truss.

Në një nivel më të thellë, shohim prova të mëtejshme të një mozaiku paneuropian. Falë rritjes së fuqishme ekonomike që nga fundi i komunizmit, çekët sot gëzojnë një PBB për frymë, sipas fuqisë blerëse, që i rendit në vendin e 14-të në BE. Përpara Spanjës dhe Portugalisë. Republika Çeke ka përqindjen më të ulët të popullsisë në rrezik varfërie ose përjashtimi social në BE dhe një nga normat më të ulëta të papunësisë. Megjithatë, në fusha si arsimi i lartë, qëndron më pas.

Falë trashëgimisë së dy presidentëve të mëdhenj, Tomas Garrigue Masaryk, presidenti i parë i Çekosllovakisë pas Luftës së Parë Botërore, dhe Vaclav Havel, presidenti i parë i Republikës Çeke pas Luftës së Ftohtë, vendi ka institucione demokratike dhe pluraliste që, sipas standardeve perëndimore të sotme, janë ende solide. Ndër to janë: një Senat që populistët nuk do ta kontrollojnë; një Gjykatë Kushtetuese dhe një institucion auditimi të pavarur; si dhe një shërbim publik radio-televiziv që ende gëzon respekt.

Këto institucione mund të rrezikohen nga populistët në pushtet, por një shoqëri civile aktive dhe presidenti i Republikës do t’i mbrojnë. Ah, sikur të mund të thuhej e njëjta gjë për Shtetet e Bashkuara.

Reklamë

Historia ka rëndësi, padyshim. Ekzistojnë ende disa ngjashmëri rajonale që burojnë nga 40 vitet e dominimit sovjetik dhe regjimi komunist para vitit 1989, por gjithnjë e më shumë peshojnë trashëgimitë më të vjetra: historia para-komuniste dhe perandoritë e para vitit 1914. Le të marrim qëndrimin ndaj luftës në Ukrainë. Shpesh thuhet se Europa Lindore është më pro-ukrainase dhe më antiruse se Perëndimi. Por në realitet, ky qëndrim është më tipik për vendet e Europës Verilindore (Polonia dhe shtetet Baltike) si dhe për disa vende të tjera nordike si Finlanda dhe Suedia, që kanë përjetuar historikisht imperializmin rus. Në Europën Juglindore, si Bullgaria apo Serbia, ndikimi i krishterimit ortodoks dhe trashëgimia otomane çojnë në qëndrime më të buta ndaj Moskës dhe më pak solidaritet me Kievin. Nën këtë aspekt, këto vende janë më afër Europës Jugore, si Greqia, sesa Estonisë apo Danimarkës. Edhe këtu, shohim një mozaik paneuropian.

Mos më keqkuptoni: kalimi në të djathtë i Republikës Çeke është një arsye reale për shqetësim, sidomos për Ukrainën. Me nismën e presidentit Petr Pavel, një ish-gjeneral i NATO-s, vendi ka udhëhequr një iniciativë të madhe për të koordinuar blerjen e municioneve për Kievin nga e gjithë bota. Vitin e kaluar, Çekia i dërgoi Ukrainës rreth 1.5 milion municione dhe synon të arrijë në 1.8 milion deri në fund të vitit 2025. Kjo përbën pjesën më të madhe të ndihmës së municioneve nga Europa për Ukrainën. Tani Babis thotë se këtë barrë duhet ta marrë dikush tjetër.

Në përgjithësi, qeveria e re e mundshme e Çekisë do të forcojë më tej valën antiliberale dhe nacional-populiste, si dhe do t’i bashkohet radhëve që në Bruksel kundërshtojnë Green Deal-in, marrëveshjet për emigrimin dhe azilin, dhe çdo hap të mëtejshëm integrimi. Brenda partisë së Automobilistëve, është veterani euroskeptik Vaclav Klaus që jep këshilla nga sedilja e pasme. Si partia Ano ashtu edhe Automobilistët janë pjesë e grupit Patriots for Europe, së bashku me Partinë e Lirisë në Austri, Vox në Spanjë, Fidesz-in e Viktor Orban-it dhe Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen.

Prandaj, le të mos ngecim në përgjithësime rajonale. Çdo vend europian ka veçoritë e veta dhe gjithashtu shumë të përbashkëta. Sfida e vërtetë sot është të tejkalohet ky “normalitet i ri” regresiv dhe të arrihet një normalitet i ri, me të vërtetë i ri, i cili do të jetë padyshim ndryshe nga standardet e viteve ’90 dhe 2000. Mesazhi që duhet të sjellim në shtëpi në bagazhin tonë mendor (trrr trac trrr), nga qyteti i lavdishëm i Masaryk dhe Havel-it, është që në gjithë Europën dhe në mbarë botën demokratike perëndimore, kemi probleme të përbashkëta dhe duhet të kërkojmë zgjidhje të përbashkëta.

Reklamë

*Shkrim për La Repubblica