Një gjykatë sllovake ka dënuar me 12 vite burg këtë të martë, më 21 tetor, personin që plagosi me armë kryeministrin Robert Fico vitin e kaluar.
Siç shkruan “Reuters”, Juraj Cintula, 72 vjeç, është fajtor për akuza terrorizmi dhe e dënoi atë me 21 vjet burgim.
Cintula qëlloi ndaj Ficos pesë herë nga një distancë prej pak më shumë se një metër, në kohën kur kryeministri sllovak po përshëndeste qytetarët në qytetin Handlova, në maj të vitit 2024.
Vendimi i Gjykatës së Specializuar Penale në qytetin Banska Bystrica përmbyll një proces gjyqësor që nisi në korrik, ku pyetja kryesore ishte nëse Cintula, i cili pranoi se kishte qëlluar ndaj Ficos, ishte fajtor për terrorizëm apo për krime më të lehta si tentativë vrasjeje apo sulm ndaj një zyrtari.
Fico, u qëllua katër herë dhe pësoi lëndime serioze në bark, si dhe dëmtime në ijë, dorë dhe këmbë. Ai u shfaq për herë të parë në publik në korrik, disa muaj pas atentatit, dhe u rikthye në punë pak më vonë.
Përçarje të thella në shoqërinë sllovake
Cintula u paraqit në gjykatë me një këmishë blu dhe një bluzë me kapuç të zi, i shoqëruar nga roje që mbanin armë automatike. Ai ka deklaruar në gjyq se kishte për qëllim ta lëndonte, por jo ta vriste Ficon, me qëllim që ta ndalonte së zbatuari politikat që, sipas tij, po dëmtonin lirinë dhe kulturën sllovake.
Duke dalë nga gjykata të martën, Cintula u tha gazetarëve se “me siguri” do ta apelonte vendimin. “Ishte një vendim i padrejtë,” tha ai.
Cintula ka thënë se e kundërshtonte politikat e Ficos për Ukrainën, median dhe kulturën, dhe e përshkroi atentatin si një “ulërimë kundër frikës që po paralizon shoqërinë”. Fico, i cili vazhdon të përballet me probleme shëndetësore si pasojë e plagëve, ka deklaruar se e ka falur Cintulën.
Ky atentat zbuloi ndarjet e thella në shoqërinë sllovake dhe armiqësinë mes Ficos populist dhe opozitës. Fico, i cili ka qeverisur për 11 vite me radhë, fajësoi opozitën liberale, pro-BE, për krijimin e një klime zemërimi që çoi në atentat.
Ndërkohë, opozita e akuzon Ficon për minimin e standardeve demokratike, kufizimin e lirisë së medias dhe fshehjen e korrupsionit.