Muzeu i famshëm i Luvrit në Paris hapi sot në mëngjes dyert për publikun, tre ditë pas vjedhjes spektakolare, që tronditi Francën.

Katër hajdutë arritën të futeshin në galerinë e Apollo-s, në katin e parë të muzeut, duke përdorur një motor të vjedhur për të marrë 9 bizhuteri të rralla të kurorës franceze, me një vlerë totale prej rreth 88 milionë eurosh.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të punonjësve të sigurisë, hajdutët u detyruan të largohen dhe lanë pas një numër të madh sendesh, që tani po hetohen nga policia.

Reklamë

Mes tyre janë një helmetë skuter, një fener oksidik, një ualkie-talkie, një jelek i verdhë dhe një batanije.

Hetimet po kryhen nga Brigada e Reagimit ndaj Krimeve dhe Zyra Qendrore Kundër Trafikimit të Mallrave Kulturore, me mbi 100 hetues të angazhuar. Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nuñez, konfirmoi se puna për zbardhjen e ngjarjes vazhdon me intensitet.

Drejtuesja e Muzeut të Luvrit, Laurence des Cars, pritet të shpjegojë sot ngjarjen, para Komisionit të Kulturës në Senatin francez.

Muzeu gjithashtu ka mbrojtur cilësinë e dollapëve ku ruheshin bizhuteritë, duke thënë se ato janë përmirësuar ndjeshëm në krahasim me ato të mëparshme, duke hedhur poshtë akuzat për siguri të dobët.

Ndërkohë, disa zona të muzeut mbeten të mbyllura për vizitorët, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar se si hajdutët arritën të kryenin këtë vjedhje “të guximshme”.

Reklamë