Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, deklaroi se vendi i tij është i gatshëm të rifillojë bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara “sapo amerikanët të jenë gati”.
Deklarata e tij vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump shpalli përfundimin e menjëhershëm të negociatave tregtare me Kanadanë, pas publikimit të një reklame që kritikonte tarifat e vendosura nga administrata e tij, raporton BBC.
Reklama, e sponsorizuar nga provinca kanadeze Ontario, përfshinte një citim të Ronald Reagan, i cili paralajmëronte se “tarifat dëmtojnë çdo amerikan”. Trump reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke e quajtur videon “të rreme” dhe “të pahijshme”, ndërsa njoftoi se “bisedimet tregtare janë përfundimisht të ndërprera”.
Tarifat që tronditën ekonominë kanadeze
Administrata Trump ka vendosur një taksë prej 35% mbi shumë produkte kanadeze, përfshirë sektorët strategjikë të automobilëve dhe çelikut, fusha që kanë pësuar goditjen më të madhe në provincën Ontario.
Megjithëse disa përjashtime mbeten në fuqi për mallrat që bien nën marrëveshjen e tregtisë së lirë mes SHBA, Meksikës dhe Kanadasë, Carney është përpjekur të arrijë një marrëveshje të re që do të ulte tarifat. Rreth tri të katërtat e eksporteve kanadeze shkojnë drejt SHBA-ve, gjë që e bën ekonominë e vendit jashtëzakonisht të varur nga tregu amerikan.
Përpjekjet e qeverisë federale janë ndërlikuar nga qëndrimet e ashpra të kryeministrit të Ontarios, Doug Ford, i cili ka qenë një kritik i zëshëm i politikave tregtare të Uashingtonit.
Në reklamën që përfshin zërin e Ronald Reagan nga një fjalim i vitit 1987, ai argumenton se tarifat “mund të duken patriotike për një kohë të shkurtër, por në afatgjatë dëmtojnë çdo punëtor dhe konsumator amerikan”.
Reagimi i Fondacionit Reagan dhe përplasja ligjore
Fondacioni “Ronald Reagan” reagoi duke akuzuar qeverinë e Ontarios për përdorim “të pjesshëm dhe jashtë kontekstit” të materialeve arkivore të presidentit të ndjerë, pa leje zyrtare.
Sipas fondacionit, reklama “keqinterpreton” qëndrimet e Reagan mbi tregtinë e lirë, ndërsa institucioni po shqyrton opsionet e tij ligjore ndaj prodhuesve të reklamës.
Trump e citoi këtë reagim, duke pretenduar se videoja ishte “një ndërhyrje e qëllimshme” për të ndikuar në vendimin e ardhshëm të Gjykatës së Lartë të SHBA-ve mbi ligjshmërinë e tarifave të tij globale, një çështje që mund të përcaktojë fatin e miliarda dollarëve të mbledhur nga doganat amerikane.
Carney: Kanadaja kërkon aleanca të reja
Gjatë një deklarate për gazetarët para nisjes për samitin e ASEAN-it në Kuala Lumpur, Carney tha se Kanadaja ka bërë “progres të konsiderueshëm” në negociatat me SHBA-të, por theksoi se vendi po kërkon gjithashtu “partneritete të reja” në tregjet aziatike.
Ndërkohë, Doug Ford publikoi në platformën X fjalimin e plotë të Reagan, duke shkruar “Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë miq, fqinj dhe aleatë. Presidenti Reagan e dinte se jemi më të fortë së bashku.”
Përplasja e radhës në marrëdhëniet dypalëshe
Ky është hera e dytë që administrata Trump pezullon bisedimet tregtare me Kanadanë. Më herët këtë vit, Uashingtoni ndërpreu negociatat pasi Ottawa njoftoi planin për të vendosur një taksë mbi shërbimet dixhitale të kompanive amerikane të teknologjisë, një masë që më pas u tërhoq.
Ontario, ekonomia më e madhe rajonale e Kanadasë, ka qenë veçanërisht e goditur nga tarifat amerikane, që përfshijnë një taksë 50% mbi metalet dhe 25% mbi automjetet.
Kriza ka çuar në humbje të vendeve të punës dhe rritje të kostove për industrinë, ndërsa tensionet politike mes Otavës dhe Uashingtonit mbeten të larta.