Në Londër, udhëheqësit e vendeve aleate të Ukrainës u mblodhën për të diskutuar mënyrat e reja të forcimit të mbështetjes ndaj Kievit dhe shtimit të presionit ndaj Rusisë. Në qendër të diskutimeve ishin sanksionet e reja ndaj kompanive më të mëdha ruse të naftës dhe mënyrat për të ndaluar të ardhurat që financojnë luftën në Ukrainë.
Koalicioni u zotua për një qasje të bashkërenduar midis SHBA-ve, Evropës dhe NATO-s, duke theksuar se hapat e ardhshëm do të jenë vendimtarë për sigurinë në Evropë.
“E ardhmja e Ukrainës është e ardhmja jonë. Ne jemi të vendosur të veprojmë tani për të rritur presionin mbi Putinin dhe më në fund ta sjellim atë në tryezën e negociatave me mirëbesim”, tha Starmer.
“Ukraina vazhdon të mbrohet me guxim dhe mbështetja jonë për ta po funksionon. E vërteta është se Putinit po i mbarojnë paratë, trupat dhe idetë. Presidenti Trump e tha: ata duhet të ndalen aty ku janë tani”, tha Rutte.
“Ne duhet të ushtrojmë presion ndaj të gjitha kompanive ruse të naftës, infrastrukturës së saj dhe ndaj terminaleve të naftës. Paqja lind nga presioni mbi agresorin dhe kjo është ajo që duhet të vazhdojmë të bëjmë”, tha Zelensky.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka konfirmuar gatishmërinë për të përmbushur nevojat urgjente financiare të Ukrainës për dy vitet e ardhshme, ndërsa vazhdon debati mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse për financimin e një kredie të re për Kievin.
Franca njoftoi dërgimin e ndihmave të reja ushtarake, përfshirë raketa kundërajrore dhe programe shtesë trajnimi, ndërsa vendet skandinave kërkuan përshpejtimin e procesit të dëmshpërblimeve për Ukrainën para Krishtlindjes.
Ndërkohë, Moska ka paralajmëruar një “përgjigje të dhimbshme” ndaj sekuestrimit të aseteve të saj jashtë vendit, duke minimizuar ndikimin e sanksioneve të reja në ekonominë ruse.
Takimi në Londër përfundoi me një mesazh të qartë uniteti nga aleatët perëndimorë, presioni ndaj Kremlinit do të vazhdojë deri në arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë.