Pas gati pesë vitesh ndërprerje, India dhe Kina kanë rifilluar fluturimet direkte, një zhvillim që shihet si shenjë e përmirësimit gradual të marrëdhënieve midis dy fuqive aziatike.

Fluturimi i parë direkt i kompanisë IndiGo, me kodin 6E 1703, u ul të hënën në qytetin jugor kinez të Guangzhou, duke transportuar rreth 180 pasagjerë nga Kolkata e Indisë, raporton BBC.

Fluturimet midis dy vendeve u pezulluan në fillim të vitit 2020 për shkak të pandemisë së Covid-19 dhe nuk u rifilluan as pas përplasjes së përgjakshme në kufirin Himalajas, e cila thelloi tensionet mes Nju Delhit dhe Pekinit.

Reklamë

Por përgjatë vitit të fundit, të dy vendet kanë bërë hapa të dukshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve. Një marrëveshje e arritur vitin e kaluar për menaxhimin e patrullimeve kufitare u cilësua si “historike” nga diplomatët në të dy anët e kufirit.

Në një deklaratë të publikuar më herët këtë muaj, qeveria indiane tha se rifillimi i fluturimeve direkte do të ndihmonte në “lehtësimin e kontakteve ndërmjet qytetarëve të të dy vendeve” dhe në “normalizimin gradual të shkëmbimeve dypalëshe”.

Një frymë e re bashkëpunimi

Rifillimi i fluturimeve vjen pas një serie zhvillimesh që sinjalizojnë një zbutje të tensioneve diplomatike.

Në gusht, Kryeministri indian Narendra Modi vizitoi Kinën për herë të parë pas shtatë vitesh, ku u takua me Presidentin Xi Jinping në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO).

Reklamë

Vetëm disa javë më herët, ministri i jashtëm kinez Wang Yi kishte vizituar Nju Delhin për të diskutuar “de-përshkallëzimin dhe çështjet kufitare”.

Në korrik, India rifilloi gjithashtu lëshimin e vizave për turistët kinezë, një tjetër hap që vlerësohet si pjesë e procesit të afrimit diplomatik midis dy fqinjëve me ekonomi gjigante.

Sipas të dhënave të ofruesit të statistikave të udhëtimeve OAG, në vitin 2019, përpara pezullimit të shërbimeve, India dhe Kina kishin 2 mijë e 588 fluturime të planifikuara në vit midis tyre.

Entuziazëm në aeroportet indiane

Reklamë

Në aeroportin e Kolkata-s, stafi i kompanisë IndiGo ndezi llamba tradicionale me vaj për të shënuar rifillimin e fluturimeve drejt Kinës.

Një zyrtar i lartë konsullor kinez, Qin Yong, deklaroi për gazetarët se dita ishte “shumë e rëndësishme për marrëdhëniet mes Indisë dhe Kinës”.

Pasagjerët shprehën entuziazëm për faktin që tani udhëtimi drejt Kinës do të jetë më i shpejtë dhe më i lehtë.
Krishna Goyal, një biznesmen indian që udhëtonte drejt Kinës, tha për agjencinë ANI se fluturimet direkte do të rrisin tregtinë dhe kontaktet dypalëshe.

“Më parë, duhej të ndërronim dy ose tre fluturime për të arritur në Kinë. Udhëtonim nga Kolkata në Singapor dhe më pas për në Kinë”, shpjegoi ai.

Reklamë

Ndërkohë, China Eastern Airlines ka njoftuar se më 9 nëntor do të nisë një linjë të re direkte që do të lidhë Shanghai-n me Delhi-n, me tre fluturime në javë, sipas një postimi të ambasadës kineze në Indi në platformën X.

Rifillimi i linjave ajrore midis dy vendeve konsiderohet nga analistët si një hap i rëndësishëm drejt rindërtimit të besimit dhe bashkëpunimit mes dy ekonomive më të mëdha të Azisë, të cilat kanë kaluar një periudhë të gjatë tensioni pas përplasjes kufitare të vitit 2020.