×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / Detajet

    “Vendim në frymën e paqes dhe stabilitetit”, deklarata zyrtare e Sirisë për njohjen e shtetësisë së Kosovës

    Reporteri
    29 Tetor 2025 | 17:53

    Republika e Sirisë ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Në vendimin e bërë publik nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Sirisë, pas një takimi trilateral në Riad ndërmjet Sirisë, Arabisë Saudite dhe Kosovës.

    Në deklaratë thuhet se diskutimet në Riad u përqendruan në mënyrat për të thelluar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, duke përfshirë njohjen reciproke dhe hapjen e perspektivave për bashkëpunim dypalësh.

    “Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, duke u bazuar në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe përkushtimin për paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe në botë,” thuhet në deklaratë.

    MPJD e Sirisë thekson se vendimi është marrë në kuadër të politikës së jashtme të hapjes dhe bashkëpunimit me vendet mike, në mënyrë që të forcohen marrëdhëniet e miqësisë dhe të avancohen interesat e përbashkëta.

    Në deklaratë, Siria shpreh mirënjohje të veçantë për rolin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, e cila ka ndihmuar në afrimin e palëve dhe në krijimin e kushteve për këtë vendim historik.

    “Damasku pret me padurim krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike dhe kulturore,” përfundon deklarata.

    Për këtë njohje njoftoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Osmani falënderoi Presidentin sirian Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës dhe për mbështetjen e tij ndaj popullit kosovar.

    “Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë,” ka deklaruar Osmani.

    Ajo ka shprehur mirënjohje edhe për Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite për rolin vendimtar në realizimin e këtij akti historik ndërmjet dy shteteve.

    Me këtë njohje, numri i vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës arrin në 120 shtete./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!