Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudoplh.
Sipas KQZ-së, në këtë takim, kryesuesi Radoniqi e informoi ambasadorin, Rudpolph lidhur me aktivitetet që aktualisht është duke i zhvilluar ky institucion për organizimin e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025.
“Radoniqi e njoftoi ambasadorin gjerman se procesi i organizimit zgjedhor po zhvillohet sipas planit dhe se janë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar një proces të rregullt, transparent dhe të besueshëm”, thuhet në njoftim.
Radoniqi i ka treguar diplomatit gjerman se KQZ-ja është në fazën përfundimtare të përgatitjeve logjistike, përfshirë shpërndarjen e materialeve zgjedhore.
Në anën tjetër, siç thotë KQZ-ja, ambasadori Rudolph shprehu interesimin e tij për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit dhe transparencës gjatë gjithë periudhës zgjedhore.
Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti janë komunat që pretendentët për kryetarë do të përballen në balotazh.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 525 Qendra të Votimit me gjithsej 1,648 vendvotime, prej të cilave 507 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 1,628 vendvotime dhe 18 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 20 vendvotime./Reporteri.net/