Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mbajtur fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të LDK-së.
Rama ka thënë se qytetarët kanë pasur mundësi t’i shohin punët, argumentet. Tash, ka mbetur vetëm vota.
“M’i keni pa punët. M’i keni ni fjalët e argumentet. Krejt i kemi thonë, krejt i kemi dëshmu Tash ka mbetë veç një gjë: VOTA! Në këto javë, jam dalë përpara secilit e secilës, lagje për lagje, fshat për fshat, rrugë për rrugë. Ju kam folë me zemër dhe me fakte. Ju kam treguar platformën prishtina.work ku çdo premtim është punë konkrete, e çdo vizion, projekt real.”, tha Rama.
I pari i Prishtinës foli për bllokadat, duke tha se ka punuar për t’i rrëzuar ato.
“PO! ju kam folë edhe për bllokadat! Sepse ato nuk janë fjalë – janë muret që çdo ditë mundohemi me i shty e me i rrëzu, për juve. Por unë s’e kam ndërmend me u ndalë. Unë nuk ndalem! Se dashnia për qytetin nuk ndalet! Se kur e don vendin, punon për të – edhe kur të pengojnë!”, tha Rama.
Rama, ka kujtuar kohën kur u kthye nga Londra, për të kontribuuar në Prishtinë. Ai tha se sot i njeh të gjitha problemet.
“Kur u ktheva nga Londra, e dija çka mundet me u bo. Tash, që i njoh mirë problemet, e di edhe më mirë zgjidhjet: Prishtina mundet! Prishtina din! Prishtina meriton! Këtu po e bëj një marrëveshje me juve, votues të dashtun: Të dielën, mos rrini në shtëpi! Dilni dhe votoni. Voto për me ia dhanë qytetit tand fuqinë e vetme që e ka – votën e bashkume!”, tha Rama.
Ai deklaroi se sot po punojnë për të gjithë, për studentët, për hapësirat e gjelbra e digjitale, për ajër më të mirë e shumë investime.
“Sepse veç kur votojmë bashkë, jemi të pathyeshëm. Veç kur votojmë me dashni, fitojmë për vete e për fëmijët tanë. Veç kur votojmë me vizion, i dalim zot të ardhmes! Unë e dua një Prishtinë model. Një Prishtinë që e kam andërru si student, kur shikoja qytetet ku njerëzit jetojnë mirë, qetë, me barazi e respekt. Një Prishtinë funksionale, digjitale, të gjelbër, me ajër të pastër dhe me zemër të madhe. Një Prishtinë që nuk e përçan e linçon askënd – por i fuqizon të gjithë”, tha Rama.