Një anije spiune ruse në kufijtë e ujërave britanike ka përdorur për herë të parë lazerë për të penguar pilotët e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) që po monitoronin aktivitetet e saj, ka deklaruar sekretari britanik i Mbrojtjes.
John Healey tha në një konferencë për shtyp në Downing Street se qeveria po e trajton këtë veprim “jashtëzakonisht të rrezikshëm” me “shumë seriozitet”. Ai shtoi se anija, e quajtur “Yantar”, ndodhej në veri të Skocisë dhe kishte hyrë në ujërat britanike gjatë javëve të fundit, për herë të dytë këtë vit.
Anija është “projektuar për të mbledhur informacione dhe për të hartuar kabllot tona nënujore”, u tha Healey gazetarëve.
“Mesazhi im për Rusinë dhe për Putin-in është ky: ju shohim. E dimë çfarë po bëni. Dhe nëse ‘Yantar’ lëviz drejt jugut këtë javë, ne jemi gati,” shtoi sekretari i Mbrojtjes.
BBC shkruan se incidenti me lazerin ka ndodhur brenda dy javëve të fundit. Healey tha se ka ndryshuar rregullat e angazhimit të Marinës Mbretërore në mënyrë që të mund ta ndjekë më nga afër “Yantar”-in “kur ndodhet në ujërat tona më të gjera”. Ai u tha gazetarëve se anija është pjesë e Drejtorisë Kryesore Ruse për Kërkime në Thellësi Detare (GUGI), e cila është krijuar për “vëzhgim në kohë paqeje dhe sabotim në kohë konflikti”.
“Është pjesë e një flote ruse të projektuar për të vënë në rrezik infrastrukturën tonë nënujore dhe atë të aleatëve tanë,” shtoi sekretari i Mbrojtjes.
Healey kishte dhënë një paralajmërim edhe në muajin janar për këtë anije, pasi ishte vërejtur në ujërat britanike. I pyetur për rreziqet që paraqesin lazerët, Healey u përgjigj: “Çdo gjë që pengon, ndërpret ose vë në rrezik pilotët që drejtojnë avionët ushtarakë britanikë është jashtëzakonisht e rrezikshme.”
Britania dhe aleatët e saj në NATO janë të shqetësuar për rrezikun që paraqet Rusia ndaj kabllove nënujore, tubacioneve dhe infrastrukturës tjetër kritike për lidhjen me internetin.
Në fjalimin e tij, sekretari i Mbrojtjes paralajmëroi për shkeljet ruse në hapësirën ajrore të NATO-s, si dhe për kërcënimet nga Kina dhe konfliktet e armatosura në mbarë botën, duke shtuar: “Bota jonë po ndryshon. Është më pak e parashikueshme. Është më e rrezikshme.”