Presidenti rus, Vladimir Putin, ka konfirmuar se Rusia ka marrë planin e SHBA-së për zgjidhjen e situatës në Ukrainë.

Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurisë në Moskë, Putin tha se propozimet e Donald Trump u diskutuan gjatë samitit të dy presidentëve në Alaskë në gusht dhe se plani i sapoprezantuar me 28 pika është një version i “modernizuar” i tyre.

Lideri rus mbështeti planin, duke deklaruar se ai mund të “shërbejë si bazë për një marrëveshje përfundimtare paqeje” në Ukrainë.

Reklamë

“Plani i paqes i presidentit Trump për zgjidhjen e situatës në Ukrainë u diskutua para takimit në Alaskë. Gjatë asaj diskutimi, pala amerikane na kërkoi të bëjmë disa kompromis dhe të tregojmë fleksibilitet”, tha Putin.

Ai shtoi se gjatë bisedimeve në Anchorage, Rusia konfirmoi se, pavarësisht sfidave dhe çështjeve komplekse, ishte dakord me disa nga propozimet.

Megjithatë, Ukraina refuzoi t’i pranojë ato.

“Mendoj se kjo është arsyeja pse u shfaq një version i ri, në thelb modernizuar, që tani përbëhet nga 28 pika. Ne kemi tekstin e tij dhe besoj se ai gjithashtu mund të shërbejë si bazë për një marrëveshje përfundimtare paqeje”, tha Putin.

Tashmë duket se presioni është në Kiev. Kujtojmë se më herët Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se vendi po përballet me një zgjedhje të vështirë mes ruajtjes së një partneri kyç si SHBA-të dhe dinjitetit kombëtar, në një nga momentet më të rrezikshme të historisë së tij.

Reklamë