Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka konfirmuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin venezuelian Nicolas Maduro, por nuk ka dhënë asnjë detaj mbi atë që është diskutuar mes tyre.

Duke folur për gazetarët në bord të Air Force One, Trump u pyet nëse raportimi i New York Times për telefonatën ishte i saktë. Ai u përgjigj shkurt “Nuk dua të komentoj. Përgjigjja është po”.

Sipas raportimit të New York Times, biseda mes dy liderëve ka ndodhur më herët gjatë muajit dhe thuhet se përfshinte mundësinë e një takimi në Shtetet e Bashkuara.

Reklamë

Konfirmimi i kësaj telefonate vjen në një periudhë kur Trump po alternon retorikën e ashpër ndaj Venezuelës me sinjale të hapura për diplomaci. Më herët, ai deklaroi se hapësira ajrore rreth Venezuelës duhet konsideruar tërësisht e mbyllur, por pa dhënë sqarime shtesë.

Kjo deklaratë shkaktoi shqetësim në Karakas, në një kohë kur administrata amerikane po shton presionin ndaj qeverisë së Maduros. Administrata Trump ka paralajmëruar prej kohësh opsione të ndryshme kundër qeverisë venezueliane, duke akuzuar Maduros për trafik droge.

Asambleja Kombëtare e Venezuelës ka bërë me dije se do të formojë një komision të posaçëm për të hetuar sulmet vdekjeprurëse të Donald Trump ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge pranë brigjeve të Venezuelës dhe në Oqeanin Paqësor lindor.