Gjykata Speciale bëri të ditur dje pas orës 17:00 se Jakup Krasniqi është kthyer në burg në Hagë pas vizitës në Kosovë.

Specialja përmendi se vizita e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u lejua nga Trupi Gjykues për “arsye humanitare bindëse. Gruaja e tij, siç u bë e ditur këto ditë, është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

“Jakup Krasniqi u kthye sot në Hagë pas vizitës së urdhëruar nga Trupi Gjykues për arsye humanitare bindëse”, shkruan Gjykata në web-faqen zyrtare.

Reklamë

“Kjo ishte vizita e pesëmbëdhjetë nga një i paraburgosur në Kosovë deri më sot, e urdhëruar nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara për arsye humanitare dhe e organizuar nga gjykata”, thuhet aty.

Sipas Dhomave të Specializuara, kjo ishte vizita e 15-të e një personi të paraburgosur në Kosovë, e urdhëruar nga gjykatësit për arsye humanitare dhe e organizuar nga vetë gjykata.

Krasniqi kishte arritur në Kosovë më 18 nëntor, pas miratimit të kërkesës për vizitë humanitare.

Gjatë qëndrimit katërditor, ai ka qëndruar pranë familjes së tij në Prishtinë, ndërsa netët i kalonte në objektin e EULEX-it në Fushë Kosovë. Vizita është zhvilluar nën masa të veçanta sigurie.

Vizita ishte lejuar për shkak të arsyeve humanitare, ndërsa Dhomat e Specializuara nuk kanë dhënë detaje të tjera në njoftimin për kthimin e tij.

Reklamë

Vizitat e tilla realizohen në bazë të rregullës 56 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Dhomave të Specializuara.

Kjo dispozitë parasheh mundësinë e vizitave në rrethana të veçanta humanitare, duke u bazuar edhe në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e personave të privuar nga liria.

Jakup Krasniqi u arrestua nga Gjykata Speciale më 4 nëntor 2020. Më 16 shtator të këtij viti, ish-zëdhënësi i UÇK-së u dënua me 25 vjet burg nga Dhomat e Specializuara.

Sipas vendimit, Krasniqi u shpall fajtor për katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), trajtim mizor (Pika 5), torturë (Pika 7) dhe vrasje e paligjshme (Pika 9).

Reklamë