Modele, muzikantë, personazhe televizivë dhe sportistë parakaluan në tapetin e kuq të “Fashion Awards 2025”, mbajtur në Royal Albert Hall në Londër.

Ngjarja madhështore e modës mblodhi emra të njohur si Lila Moss, këngëtarja braziliane Anitta dhe ylli televiziv Chrishell Stause, të cilët u bashkuan për të nderuar arritjet më të rëndësishme në industrinë globale të modës.

Ceremonia e këtij viti u moderua nga aktori Colman Domingo, ndërsa skena u ndez nga performancat e artistëve Raye dhe Tems.

Reklamë

Një nga momentet më të rëndësishme të mbrëmjes ishte nderimi i dizajnerit të njohur italian Brunello Cucinelli, i cili u vlerësua me çmimin “Outstanding Achievement Award” për karrierën e tij të jashtëzakonshme.

Çmimi Dizajneri i Vitit iu dha Jonathan Anderson, i cili këtë vjeshtë debutoi me koleksionin e tij të parë për Dior. Sa i përket dizajnerëve britanikë, Sarah Burton e Givenchy u vlerësua si Dizajnerja e Vitit për Veshje të Grave, ndërsa Grace Wales Bonner fitoi çmimin Dizajnerja e Vitit për Veshje të Meshkujve.

Përpara ceremonisë kryesore, u shpallën edhe disa fitues të tjerë: supermodelja Anok Yai mori çmimin Modelja e Vitit, reperja britanike Little Simz u nderua me çmimin Cultural Innovator, ndërsa stilisti Sam Woolf fitoi çmimin Pandora Style Moment of the Year.

Mbrëmja gala shërben gjithashtu si një mbështetje për Fondacionin e British Fashion Council, i cili ndihmon talentet e reja përmes programeve arsimore, duke kontribuar në zhvillimin dhe suksesin e industrisë britanike të modës.