Mijëra protestues mbushën rrugët e Sofjes në një nga marshimet më të mëdha të viteve të fundit, me qëllim tërheqjen e buxhetit të ri dhe dorëheqjen e qeverisë.
Buxheti i vitit 2026 parashikon rritje të taksave dhe kontribute shtesë të sigurimeve shoqërore. Po ashtu, qytetarët kanë ngritur zërin kundër korrupsionit në sektorin publik, duke kërkuar largimin e qeverisë së udhëhequr nga Rosen Zhelyazkov.
Tubimi kryesor në qendër të Sofjes ishte paqësor, por tensionet u krijuan pas përfundimit të tij. Disa protestues u përleshën me policinë, duke hedhur gurë, shishe dhe fishekzjarre. Efektivët u përgjigjën me sprej me piper dhe ndaluan disa persona. Raportohet se gjatë përplasjeve fizike u plagosën dy oficere.
Protestuesit i vunë flakën kazanëve të plehrave, ndërsa një furgon policie u dëmtua rëndë. Dëme u shkaktuan edhe në zyrat e partisë në pushtet.
Presidenti i vendit dënoi incidentet dhe u bëri thirrje si protestuesve, ashtu edhe autoriteteve, të shmangin dhunën. Në një deklaratë publike, ai kërkoi që të largohet qeveria, duke theksuar se ekziston vetëm një rrugë: dorëheqja dhe zgjedhjet e parakohshme.