Pas sulmit terrorist në Bondi Beach, që la 15 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, qeveria australiane ka njoftuar një program të ri blerjeje armësh, më të madhin që nga masakra e Port Arthur në vitin 1996. Masakra e asaj kohe kishte shkaktuar vdekjen e 35 personave dhe kishte çuar në miratimin e kontrolleve të ashpra të armëve, që konsiderohen ndër më të avancuarat në botë.
Sulmi i së dielës, i kryer nga një dyshe terroristësh, baba e djalë, besohet të ketë qenë i frymëzuar nga ideologjia e Shtetit Islamik. Policia ka ngritur akuza ndaj Naveed Akram, 24 vjeç, për 59 vepra penale, përfshirë 15 vrasje dhe një akt terrorist, ndërsa babai i tij, Sajid, u vra gjatë sulmit.
Në përgjigje, kabineti australian vendosi të ashpërsojë rregullat për armët. Masat përfshijnë rregulla të ashpra për blerjen e armëve të tepërta, vendosjen e kufijve për numrin e armëve që mund të mbahen nga një individ, rregulla më të ashpra për licencat dhe kufizimin e tipeve të armëve të lejuara. Projekti për një regjistër kombëtar të armëve do të përshpejtohet, ndërsa rregullatorët do të kenë qasje më të madhe në informacionin kriminal.
Policia e New South Wales ka njoftuar gjithashtu se shtatë persona me ideologji ekstremiste, të cilët udhëtuan nga Victoria dhe u monitoruan nga autoritetet, do të lirohen, por do të mbeten nën mbikëqyrje. Autoritetet nuk kanë gjetur lidhje të konfirmuar mes tyre dhe sulmit në Bondi Beach, por vendimi për mbajtjen e tyre ishte për të shmangur rrezikun e një veprimi të dhunshëm.
Qeveria australiane pritet të mbledhë dhe shkatërrojë qindra mijëra armë përmes këtij programi, i cili do të financohet në mënyrë të barabartë nga qeveria federale dhe ato të rajoneve dhe territoreve. /BBC/