Prokurori Aleksandër Lumezi ka refuzuar propozimin për të marrë mandatin e Zëvendëskryeprokurorit të Shtetit.
Në një email drejtuar Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Lumezi ka falënderuar për besimin dhe propozimin për një mandat katërvjeçar, duke theksuar se e vlerëson lart këtë mundësi.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se pas një shqyrtimi të kujdesshëm të përgjegjësive dhe angazhimeve që kërkon kjo pozitë, ka vendosur të mos e pranojë detyrën, për shkak të angazhimeve të tij aktuale profesionale. Sipas tij, puna si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe angazhimi në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve në të gjitha nivelet e bëjnë të pamundur marrjen e këtij mandati në këtë fazë.
Lumezi ka shprehur keqardhje për refuzimin e propozimit, duke falënderuar edhe një herë për vlerësimin e treguar ndaj tij.
“Pas një shqyritmi të kujdesshëm të përgjegjësive dhe angazhimeve që kjo pozitë kërkon, kam arritur në përfundimin se në këtë moment nuk jam në gjendje të pranoj këtë detyrë, për shkak të angazhimeve të mia profesionale si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Komisionin për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve të të gjitha niveleve. Për këto arsye, me keqardhje kam vendosur të refuzoj këtë propozim“, thuhet në letrën e Lumezit.