Ministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese pas shfuqizimit të Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme.
Sallahu tha se Kushtetuesja ka shkelur afatet ligjore për vendimmarrje.
“Pas 1 viti e 28 ditësh pranuam aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjykata pas shkeljes së afateve ligjore, konstatoi se ka shkelje procedurale të miratimit të projektligjit përkatës në Kuvend, andaj serish duhet t’i kthehet Kuvendit për miratim. Është joligjore, joprofesionale dhe joetike, që një ligj kaq me rëndësi për luftimin e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve publik të mbahet në sirtarët e Gjykatës me shumë se një vit vetëm për çështje procedurale! Vonesa të tilla, cenojnë kompetencat ekskluzive kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në miratimin e ligjeve”, ka shkruar Sallahu në Facebook.
Ndonëse Ligji u shfuqizua, ai ka thënë se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshëm do të nisë sivjet.
“Përfundimisht mund të themi se pavarësisht pengesave nga akterë me qëllime të caktuara, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të fillojë këtë vit!” ka shtuar Sallahu.
Gjykata Kushtetuese në dy raste ka shpallur antikushtetuese Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe 12 ligje të tjera të miratura në Kuvend, nga shumica parlamentare e Qeverisë Kurti.
Kushtetuesja i shfuqizon 12 ligje të Qeverisë Kurti
Reklamë