Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar se është normalizuar qarkullimi  i kamionëve si në hyrje dhe dalje në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shkruan Reporteri.net.

Në njoftim thuhet se normalizimi i qarkullimit është bërë që nga ora 20:00.

“Ju njoftojmë se prej orës 20:00 është normalizuar qarkullimi  i kamionëve si në hyrje dhe dalje në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi bllokuan që nga mesdita e 26 janarit disa pika kufitare, duke ndalur qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.

Protesta e tyre është kundër sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, i njohur si EES.

Ky sistem parasheh që shtetasit jashtë Schengenit të qëndrojnë në këtë zonë maksimumi 90 ditë brenda 180 ditësh, por, sipas transportuesve protestues, kjo periudhë nuk mjafton – sidomos për ata që udhëtojnë në vende më të largëta – ndaj edhe shkakton humbje ekonomike dhe rrezik për dëbime.

Kosova nuk mori pjesë në protestë, por ndien pasojat e saj, pasi pjesën më të madhe të importit dhe eksportit e realizon përmes transiteve nëpër këto vende.

Reklamë

Për më tepër, edhe shoferët kosovarë i prek njësoj sistemi EES.

Për të adresuar situatën, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës iu drejtua me një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke paralajmëruar se protesta njëjavore mund të shkaktojë pasoja të mëtejshme për kompanitë kosovare – përfshirë rrezikimin e kontratave me partnerët evropianë.

Bllokada e kufijve rrit frikën për shtrenjtim të produkteve në Kosovë

Reklamë