Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët kundër fruthit, duke theksuar se kjo sëmundje është shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, madje edhe vdekje.
Përmes një njoftimi, IKSHPK ka shpjeguar se fruthi shkaktohet nga një virus dhe përhapet lehtësisht përmes ajrit, kur personi i infektuar kollitet ose teshtin. Virusi mund të përhapet edhe para se të shfaqen simptomat e sëmundjes.
Ndër shenjat kryesore të fruthit janë temperatura e lartë, kolla, rrjedhja e hundës, skuqja dhe lotimi i syve, si dhe skuqjet në lëkurë, të cilat zakonisht shfaqen fillimisht në fytyrë, pas veshëve, e më pas përhapen në pjesë të tjera të trupit.
IKSHPK ka paralajmëruar se fruthi mund të shkaktojë pneumoni, encefalit, dehidrim, dëmtim të dëgjimit dhe verbim. Veçanërisht të rrezikuar nga komplikimet janë fëmijët nën moshën pesëvjeçare.
Instituti ka theksuar se vaksina MMR është mbrojtja më e mirë kundër fruthit. Sipas të dhënave të publikuara nga IKSHPK, një dozë e vaksinës ofron mbi 90 për qind mbrojtje, ndërsa dy doza rreth 97 deri në 99 për qind.
Në Kosovë, doza e parë e vaksinës MMR jepet kur fëmija mbush 12 muaj, ndërsa doza e dytë në moshën pesë deri në gjashtë vjeç.
IKSHPK u ka bërë thirrje prindërve që të sigurohen se fëmijët e tyre i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës, duke rikujtuar se fruthi mund të parandalohet përmes vaksinimit.