Kur kanë mbetur edhe më pak se 30 orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri, Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Kosovës, në një konferencë për media ka bërë të ditur se deri më tani ka pranuar vetëm një kandidaturë për President: propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për Glauk Konjufca.
Haxhiu ka theksuar se nuk mund të thirret seanca për zgjedhjen e Presidentit pa pasur të paktën dy kandidatë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Respektimi i afateve kushtetuese është thelbësore. Deri tani kam pranuar vetëm një kandidaturë për president, 30 deputet nënshkruar. Sipas dokumentacionit zyrtar, një pjesë e deputetëve të LVV-së dhe grupi multi etnik kanë nominuar z. Glauk Konjufca. Bazuar në kushtetutë dhe në interpretimin e kushtetuese, procedura kërkon që në proces të jenë më së paku dy kandidatë të vlefshëm. Votimi s’mund të fillojë pa u përmbushur kjo”, ka thënë ajo.
“Nëse s’kemi dy kandidatë që kanë nga 30 nënshkrime, s’mund të thërras seancë për zgjedhje të presidentit”, ka shtuar Haxhiu.
Ajo i ka ftuar deputetët që të reflektojnë dhe të shqyrtojnë mundësinë e propozuar edhe për një kandidaturë tjetër, për të mundësuar zhvillimin e procesit në përputhje me Kushtetutën.
Haxhiu, ka folur edhe për situatën kur presidenti nuk mund të zgjidhet dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja. Situatë të parë, Haxhiu ka përmendur rastin nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i merr votat e nevojshme as në raundin e tretë të procesit.
Ajo ka përmendur edhe afatin 60 ditor, si situatë të dytë, nëse fillon procesi i zgjedhjes së presidenti.
‘’Unë po i trajtoj dy çështje që ndërlidhen me mënyrat se si vendi shkon në zgjedhje, në situatat aktuale. Në situatat aktuale, vetëm në qoftë se në raundin e tretë asnjëri prej kandidatëve nuk i merr votat 61, pastaj vendi shkon në zgjedhje. Dhe tjetra që parashihet në Kushtetutë, është në qoftes se brenda afatit 60 ditor nuk arrin të zgjidhet presidenti, prej nisjes së procedurave që i bie nëse ne do të nisnim sot, afati vlen prej sot, por meqenëse ende s’kemi nisur, ky afat nuk fillon të vlejë. Në këtë drejtim me situatën kur nuk ka një kandidat të dytë, nëse nuk do të ketë as nesër, ne nuk mund të paragjykojmë, presim deputetët të adresojnë përgjegjësinë që kanë. Por nëse ne do të jemi me gjashtë mars e tutje, nuk përcaktohet saktësisht se çka ndodh nëse presidenti zgjidhet pas këtij afati. Sepse Kushtetuta thotë që presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit. Prandaj hyjmë në teren tjetër, shpesh quhet teren i pashkelur.’’, ka thënë ajo
Kujtojmë se më 28 mars 2011, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte rrëzuar zgjedhjen e Behgjet Pacollit si president, pasi votimi nuk u bë me dy kandidatë dhe mungoi kuorumi i nevojshëm.