Këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka demantuar deklaratën e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila tha thënë se kjo parti i kishte ofruar 30 nënshkrimet Osmanit për një mandat të dytë, por ajo nuk i kishte pranuar.

“Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër!”, ka shkruar Hollaj.

Reklamë

Nga ana tjetër, Arbërie Nagavci deklaroi në një konferencë për media se Lëvizja Vetëvendosje i kishte ofruar Osmanit nënshkrimet për të kandiduar për një mandat të dytë, duke theksuar se asnjë subjekt tjetër politik nuk e kishte bërë një gjë të tillë.

Ajo shtoi se Osmani nuk e kishte pranuar ofertën.

Sipas saj VV  ishte e gatshme të ofronte nënshkrime edhe për partitë e tjera.

“Mund të ofrojmë 10 nënshkrime për PDK që të kandidojë një kandidat, mund të ofrojmë edhe 20 nënshkrime për parti të tjera,” tha Nagavci, sipas raportimit të Gazetës Online Reporteri.net.