Futbollistët nga Kosova po vazhdojnë të fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje në futbollin evropian, veçanërisht në Itali, ku disa prej tyre po luajnë në nivele të larta dhe po vlerësohen nga mediat dhe ekspertët e sportit.
Redaktori i sportit në gazetën prestigjioze italiane Corriere dello Sport, Fabio Donfrancesco, në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, ka folur për vlerën e futbollistëve kosovarë që luajnë në Itali, derisa ka zbuluar edhe të ardhmen e dy yjeve të Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova dhe Amir Rrahmani.
Fillimisht, Donfrancesco vlerëson nivelin e futbollistëve kosovarë dhe thekson se ata janë ndër lojtarët më të vlerësuar në kampionatin italian.
Donfrancesco: Futbollistët kosovarë janë ndër më të mirët në Itali
“Italia tani është një nga vendet më të mira ku ne kemi lojtarë shumë shumë të mirë. Futbollistët nga Kosova, e kam fjalën që ata luajnë në Itali janë të famshëm gjithashtu dhe ata vlerësohen ndër më të mirët. Kështu që mendoj se për ta është një mundësi e mirë për të rritur nivelet e tyre të të luajturit dhe për t’u bërë të njohur nëpër botë, jo vetëm në Evropë”, thotë fillimisht Donfrancesco.
Sa i përker Zhegrovës, gazetari italian vë në pah rëndësinë që ka për një lojtar të luajë në një klub të madh italian, duke përmendur mundësinë që ai të vazhdojë karrierën në ndonjë ekip tjetër të Serie A.
Donfrancesco: Zhegrova mund të luajë për ndonjë skuadër tjetër italiane
“Edoni luan në Juventus, që është një nga ekipet më të famshme në Itali dhe jo vetëm në Itali dhe Juventusi ka fituar disa kampionate italiane. Nëse kujtohem mirë, saktësisht janë 36. Kështu që për të është një mundësi shumë e mirë të luajë në këtë ekip që natyrisht ky ekip zakonisht luan në gara evropiane dhe për të mendoj se është një mundësi e mirë gjithashtu të qëndrojë në Itali, mbase të shkojë në një ekip tjetër italian, pse jo?”, vijoi tutje Donfrancesco.