Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka treguar lidhur me mënyrën se si u mor vendimi për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastiri i Deçanit.
Rashiq, ndërsa ka folur lidhur me marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ka treguar se ky i fundit, për shkak të tij, e ka bërë transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq, siç transmeton Kossev.
Pas deklaratës së Rashiq kanë reaguar ashpër zyrtarë të Partisë, Demokratike të Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Blerta Deliu nga PDK në reagimin e saj tha se për vite me radhë janë dëgjuar akuza për “tradhti” në lidhje me çështjen e tokës së manastirit, ndërsa tani, sipas saj, del se vendimi është marrë thjesht.
“Për vite dëgjuam akuza për ‘tradhti’ për tokën e Manastirit të Deçanit. Sot ministri Nenad Rashiq tregon se si u mor vendimi: Albin Kurti i kishte thënë ‘Do ta bëjmë, por ta dish, për shkakun tënd’. Ajo që dikur përdorej për dramë politike, në pushtet u bë një vendim i thjeshtë. Kaq serioze paska qenë gjithë ajo dramë politike”, ka shkruar Deliu në Facebook.
Kurse, Avdullah Hoti nga PDK në reagimin e tij thotë se deklarata e Rashiqit “e zhvesh plotësisht” Kurtin nga, siç e quajti ai, retorika mashtruese që ka përdorur për këtë çështje.
“Deklarata e ministrit Rashiq e zhvesh plotësisht Kurtin nga retorika e tij mashtruese. Për vite u fol për “tradhti” dhe “falje të tokës për manastirin”. Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: “Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd.” Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë Kryeministër u bë lehtësisht për hatër. Kaq “serioze” është vendimmarrja shtetërore e Kurtit. Hi syve për qytetarët, ndërsa vendime të kundërta e për hatër në prapaskenë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ndërsa, nga AAK ka reaguar Daut Haradinaj, i cili thotë se nëse Kurti nuk demanton deklaratën e Rashiqit, atëherë transferimi i 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit është më shumë se tradhëti kombëtare.
“Nëse Kurti nuk e demanton, kjo përbën më shumë se tradhti kombëtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kujtojmë se në vitin 2024, Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që t’ia transferonte 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, duke thënë se kjo do të ishte vendimtare për anëtarësimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, gjë që më pas nuk ndodhi. /Reporteri.net/.