Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e hershme të mëngjesit të 16 marsit në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i vrarë një 38 vjeçar, ndërsa një person tjetër u plagos.
I dyshuari (pronar i një lokali) kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave, duke e lënë të vdekur njërin prej tyre. Ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 05:20 në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, në Gjakovë.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja dhe një mjet i mprehtë (thikë).
Fillimisht, i dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes dhe ishte në kërkim, por në orët e pasdites të së hënës, ai u vetëdorëzua në Stacionin Policor në Gjakovë. Policia bën të ditur se i dyshuari e ka dorëzuar edhe një revole.
I njëjti është dërguar në mbajtje.
“Rr. Vëllezërit Frashëri, Gjakovë 16.03.2026-05:20. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, pronar i një lokali kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, njëri nga viktimat nga plagët e marra kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja dhe një mjet i mprehtë (thikë). Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion. I dyshuari është vet dorëzuar dhe ka dorëzuar një revole. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”, bën të ditur policia në raportin e sotëm 24 orësh.
Rasti është iniciuar si “vrasje e rëndë”./Reporteri.net/