×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Seanca

    Kuvendi ratifikon katër marrëveshje ndërkombëtare në vlerë miliona euro, por jo edhe rezolutën për naftën

    Reporteri
    10 Prill 2026 | 15:27

    Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar sot katër marrëveshjet e mbetura ndërkombëtare, që kapin vlerë miliona euro. 

    Mbi 80 vota mori Marrëveshja e kredisë mes Kosovës dhe Asociacionit Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës.

    Deputetët kanë kaluar edhe Marrëveshjen e kredisë mes Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika, që sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, ka vlerë prej 80 milionë eurosh.

    Dritën jeshile mori edhe Marrëveshja e Kredisë mes Kosovës dhe Qeverisë gjermane për kredi në sektorin e energjisë dhe klimës. Murati tha se kjo marrëveshje, po ashtu në vlerë prej 80 milionë eurosh, mbështet politikat dhe reformat në sektorin e energjisë.

    U ratifikua edhe Marrëveshja e kredisë me Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0, që është në kuadër të një projekti rajonal dhe është 35 milionë euro kredi dhe 12 milionë në formë të grantit.

    Për dallim nga marrëveshjet, dështoi të miratohet Rezoluta e LDK’së për rritjen e çmimeve të naftës.

    Për votuan 34 deputetë, 49 kundër dhe 7 abstenime.

    Debati për rezolutën u zhvillua më 3 prill, por votimi për të ishte shtyrë në mungesë të kuorumit.

    Në tekstin e rezolutës kërkohej: ulja e akcizës nga 36 centë në litër në 20 centë në litër derisa të stabilizohen çmimet në bursat ndërkombëtare dhe ulja e përkohshme e TVSH-së në karburante nga 18 në 8 për qind deri në stabilizim të çmimeve./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!