Barcelona po i afrohet gjithnjë e më shumë titullit kampion, duke qenë të vetëdijshëm se trofeu është brenda mundësive të tyre. Megjithatë, në klubin katalanas askush nuk dëshiron të krijohet ndonjë relaksim i parakohshëm, edhe pse diferenca prej 9 pikësh me Real Madridin u jep një avantazh të madh në klasifikim.
Për këtë arsye, në dhomat e zhveshjes së Barcelonës po kërkohen objektiva të rinj për të mbajtur skuadrën të motivuar në shtatë ndeshjet e mbetura të kampionatit. Një prej këtyre sfidave është arritja e 100 pikëve në fund të sezonit, një arritje historike që deri tani është realizuar vetëm nga Real Madrid i Mourinhos në sezonin 2011-12 dhe nga Barcelona e Tito Vilanovës sezonin pasardhës.
Aktualisht, skuadra e Hansi Flick ka 79 pikë pas 31 javësh, duke u renditur si një nga ekipet më të mira në histori në këtë fazë të kampionatit. Në të kaluarën, rekordi më i lartë i sezonit është 84 pikë nga Barcelona e Pep Guardiolës në 2010-11, ndërsa edhe sezonet e tjera të artë kanë qenë shumë pranë kësaj shifre. Një tjetër objektiv është edhe arritja e 100 golave të shënuar. Barcelona ka shënuar deri tani 84 gola dhe i mungojnë edhe 16 për të prekur këtë kufi simbolik. Me ritmin aktual të golave që nga ardhja e Flick, ky objektiv duket shumë i arritshëm.
Në shtatë ndeshjet e mbetura, Barcelona do të luajë tre ndeshje në shtëpi dhe katër jashtë. Në “Camp Nou” do të presë Celta Vigo, Real Betis dhe Real Madrid. Nëse i fiton të gjitha ndeshjet në shtëpi, titulli do të sigurohej, por për të synuar rekorde historike do të duhet të fitojë edhe në transfertat ndaj Getafe, Osasuna, Alavés dhe Valencia.