Rreth 100 mijë tifozë dolën në rrugët San Sebastián për të pritur lojtarët e Real Sociedad, për të festuar triumfin në Kupën e Mbretit.

Ekipi bask siguroi trofeun e katërt në historinë e tij pas një finale dramatike ndaj Atletico Madrid, e fituar me penallti pas barazimit 2-2 në Sevilla.

Skuadra u prit si hero në qytet, ku natyrshëm pjesë ishte edhe një autobus i hapur, për të shëtitur trofeun drejt stadiumit Anoeta, mes mijëra tifozëve entuziastë.

Reklamë

Në qendër të vëmendjes ishte trajneri Pellegrino Matarazzo, i cili mbajti një fjalim në gjuhën baske, duke emocionuar turmën.

Festimet u drejtuan nga kapiteni Mikel Oyarzabal dhe mbrojtësi Aritz Elustondo, dy prej lojtarëve më me eksperiencë të ekipit, që kishin fituar edhe kupën në vitin 2021, por pa mundur ta festonin me tifozët për shkak të kufizimeve të pandemisë Covid-19.

Një festë e jashtëzakonshme, që vështirë se do të harrohet lehtë.