Boksieri britanik Anthony Joshua do të rikthehet në ring më 25 korrik në Riad, ku do të përballet me boksierin shqiptar Kristian Prenga, në një ndeshje që shënon kthimin e tij pas një periudhe të vështirë personale dhe profesionale.
Lajmi është konfirmuar nga Matchroom Boxing, duke theksuar se kjo përballje është pjesë e një marrëveshjeje me dy ndeshje me Turki Alalshikh, drejtues i Autoritetit të Përgjithshëm për Argëtimin në Arabinë Saudite.
Ndeshja e dytë pritet të jetë në nëntor ndaj Tyson Fury, një duel i shumëpritur që mund të përcaktojë një nga momentet më të mëdha në boksin botëror.
Për Joshua, kjo do të jetë ndeshja e parë që nga fitorja me “knockout” në raundin e gjashtë ndaj Jake Paul në Miami, në dhjetor, si dhe rikthimi i tij pas një aksidenti tragjik automobilistik në të njëjtin muaj, ku humbën jetën dy persona të afërt të ekipit të tij.
“Kam marrë kohë për t’u rikuperuar dhe për t’u përgatitur për rikthimin në ring. Ky është hapi i radhës në këtë rrugëtim dhe jam i lumtur që kam arritur marrëveshjen për disa ndeshje, duke nisur nga 25 korriku në Arabinë Saudite”, u shpreh Joshua.
Ai shtoi se synon të rikthehet aty ku e la dhe të vazhdojë dominimin në ring: “Po pres me padurim të rikthehem në garë dhe të vazhdoj aty ku e lashë. Siç kam thënë, pronari do të mbledhë qiranë.”
Përballja ndaj Prengës përbën një mundësi të rëndësishme për boksierin shqiptar për t’u përballur me një nga emrat më të mëdhenj të sportit, në një event me vëmendje globale.