Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se opozita po tenton të rrëzojë Qeverinë përmes çështjes së presidentit, duke pamundësuar krijimin e kuorumit në Kuvend.
Sipas tij, situata aktuale është vazhdim i tri krizave politike që, që nga viti 2019, kanë pasur si thelb përpjekjen për të mos pranuar rezultatin zgjedhor dhe për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve.
Konjufca tha se kriza e parë ka ndodhur në vitin 2020, kur LDK u largua nga koalicioni me Vetëvendosjen dhe në bashkëpunim me PDK u rrëzua Qeveria Kurti 1, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kriza e dytë, sipas tij, lidhet me bllokadën politike gjatë vitit 2025, kur tri subjektet kryesore opozitare u bashkuan për të pamundësuar formimin e qeverisë, duke çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Ndërsa kriza e tretë, siç tha ai, është aktualja, ku opozita po përdor çështjen e zgjedhjes së presidentit për të bllokuar punën e Kuvendit përmes mungesës së kuorumit.
“Qëllimi është i njëjtë në të tri rastet, ndonëse me metoda të ndryshme: mospranimi i rezultatit zgjedhor dhe tentimi për ta ndryshuar atë përmes mjeteve politike”, u shpreh Konjufca.
Ai theksoi se politika duhet të ruajë integritetin dhe respektin ndaj vullnetit të qytetarëve, duke shtuar se mandatet e fituara në zgjedhje duhet të respektohen.
Konjufca tha se populli thotë “atë që e lyp e gjen”, duke shtuar se opozita po e kërkon përgjigjen e tretë.
“Këta në dy krizat i kanë marrë dy përgjigje, tash po e dojnë edhe përgjigjen e tretë nga qytetarët. Populli thotë çka të lyp e gjen e këta po e duan atë përgjigjen e tretë”, ka thënë ai