Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me zhvillimet për çështjen e Presidentit dhe konferencës së Kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se Kosova nuk i përket një lëvizjeje, një lideri apo një narrative të vetme, por qytetarëve të saj, shkruan Reporteri.net.
Rama ka thënë se situata që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës pasqyron një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit, “që minon vetë themelet e republikës sonë demokratike”.
“Ajo që po shohim nuk është qeverisje e shëndetshme, por një model alarmues kontrolli, përjashtimi dhe kapjeje të institucioneve”, ka shkruar Rama.
Sipas Ramës, Vetëvendosje gjithnjë e më shumë e ka zbehur vijën ndarëse mes partisë dhe shtetit.
“Vendimet po centralizohen, zërat kundërshtues po anashkalohen dhe proceset demokratike po dobësohen. Kuvendi, që duhet të jetë zemra e debatit të hapur dhe përfaqësimit, rrezikon të shndërrohet në një vulë formale, në vend se të mbetet një forum i vërtetë i llogaridhënies”, thuhet në postimin e tij.
Rama ka thënë se Kosovës i duhet balancë, dialog dhe lidership që bashkon, e jo që ndan.
“Duhet t’i rezistojmë çdo tendence për monopolizim politik. Demokracia nuk është vetëm çështje e fitimit të zgjedhjeve, është mënyra se si ushtrohet pushteti më pas. Ajo kërkon përmbajtje, përfshirje dhe respekt për institucionet. Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet balancë, dialog dhe lidership që bashkon, e jo që ndan. E ardhmja jonë varet nga mbrojtja e normave demokratike, jo nga zbehja e tyre”, përfundon postimi i tij./Reporteri.net