Ngushtica e Hormuzit mbeti pothuajse e zbrazët të hënën, pavarësisht njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump se ushtria e Shteteve të Bashkuara do të fillojë të mbrojë anijet që përpiqen të dalin nga Gjiri.
Të dhënat nga faqet që monitorojnë lëvizjen detare treguan se vetëm një cisternë e sanksionuar – “Nooh Gas”, kaloi përmes ngushticës atë ditë. Asnjë cisternë apo anije tjetër transporti nuk rezultonte në lëvizje në orën 5 të mëngjesit sipas kohës lindore amerikane.
Irani e ka hedhur poshtë planin e Trumpit për të shoqëruar anijet, duke paralajmëruar se “çdo forcë ushtarake e huaj, sidomos ushtria pushtuese amerikane”, do të sulmohet nëse afrohet apo hyn në Ngushticën e Hormuzit.
Gjeneralmajori Ali Abdollahi, zëdhënës i komandës së përbashkët të forcave të armatosura iraniane, tha se Irani do ta mbrojë sigurinë e ngushticës “me gjithë forcën”, pasi SHBA-ja u zotua të udhëheqë anijet e bllokuara përmes këtij korridori jetik për transportin e naftës.

Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se SHBA-ja nuk po arrin të dalë nga “kurthi që ia ka krijuar vetes”.
“Republika Islamike e Iranit ka treguar se e konsideron veten rojtar dhe mbrojtës të Ngushticës së Hormuzit dhe këtij korridori të rëndësishëm detar”, tha zëdhënësi i ministrisë, Esmaeil Baghaei.
Ai shtoi se Irani dhe Omani, i cili shtrihet në anën jugore të ngushticës, po vazhdojnë bisedimet për menaxhimin e këtij korridori. Sipas tij, të dy vendet kanë “përgjegjësi të përbashkët për të garantuar sigurinë e trafikut detar në këtë rrugë strategjike”.
Omani nuk ka komentuar deri më tani.
Në të njëjtën kohë, Garda Revolucionare Iraniane publikoi një hartë ku shpall kontrollin ushtarak mbi një zonë të gjerë në të dy anët e kësaj pike kyçe detare.
“Shtetasit civilë dhe anijet tregtare që respektojnë protokollet e lëvizjes të përcaktuara nga marina e Gardës Revolucionare dhe që koordinojnë rrugët e tyre do të jenë të sigurta”, tha një zëdhënës për agjencinë gjysmëzyrtare Fars. “Por çdo aktivitet detar që nuk i përmbahet këtyre rregullave do të përballet me rreziqe serioze”, përfshirë edhe ndalimin me forcë.
/CNN/Reporteri.net/